Presidenti Ilir Meta ka zbuluar sot një letër që i ka dërguar Ministrisë së Shëndetësisë lidhur me situatën e COVID-19 në Shqipëri. Në një postim në mediat sociale teksa zbulon letrën për qytetarët, Meta shkruan se “situata e pandemisë pritet të përkeqësohet drejt një katastrofe, që duhet parandaluar në kohë”.

Kreu i Shtetit shkruan se është detyruar që t’i kërkojë informacion Ministrisë pasi në vend po shtohen shumë personat e infektuar.

“Nisur nga përkeqësimi i dukshëm i situatës së pandemisë COVID-19, me shtim të numrin të personave të infektuar, e fatkeqësisht me rritje edhe të numrit të qytetarëve të cilën kanë humbur jetën, shtrohet si domosdoshmëri një rivlerësim tërësor i situatës dhe masave të marra në raport me të, duke konsideruar edhe afrimin e stinës së ftohtë, si një tjetër faktor rëndues”, shkruan ai.

Po ashtu sipas Presidentit, situata e pandemisë është përkeqësuar dhe “me përshkallëzimin e krizës së rëndë politike e institucionale, veçanërisht pas shkeljes brutale e të njëanshme të Marrëveshjes konsensuale të 5 Qershorit”.

Në kërkesën për informacion, Meta kërkon të dijë nëse vendi është i përgatitur për shtimin e rasteve me COVID, nëse ka hapësira të mjaftueshme në spital dhe nëse është menduar për rritje të testimeve dhe rritje të buxhetit për mjekësinë.