Ministrja e Arsimit vendos pezullimin e rektorit të Universitetit të Tiranës Mynyr Koni, dhe ia kërkon presidentit Ilir Meta ta shkarkojë nga detyra.

Përmes një deklarate për mediat, ministrja Besa Shahini tha se institucioni që ajo drejton ka vendosur pezullimin e rektorit Koni, ndërsa tha se i është drejtuar me kërkesë kreut të shtetit për shkarkimin e tij.

“Më vjen keq për zotin Koni, unë jam udhëheqëse dhe dua të sigurohem që reforma po zbatohet. Është e vështirë që të marrësh vendim për të pezulluar dikë që është zgjedhur me vota. Vendimin për të shkarkuar rektorin e merr presidenti dhe ai do ketë në dispozicion çdo informacion. Jam dakord me Presidentin ku në Universitetin e Tiranës, nuk është zbatuar ligji dhe është keqmenaxhuar. Jam e bindur që Presidenti do të marrë vendimin e duhur për të zgjidhur ngërçin në Universitetin e Tiranës”, u shpreh ministrja Shahini.

Mes kryeministrit Edi Rama dhe rektorit Mynyr Koni ka patur akuza e replika në distancë lidhur me zhvillimet në arsimin e lartë.