Një ditë më parë, deputetja e Partisë Demokratike Oriola Pampuri, denoncoi mungesën e medikamentit herceptina për gratë e sëmura me kancer, që kurohen pranë repartit të Onkologjisë në QSUT.

Mjekët e Onkologjikut e përgënjeshtruan këtë fakt por Pampuri theksoi se mungesa e herceptinës konfirmohet nga pacientët, gratë e sëmura me kancerin e gjirit që një pjesë e të cilëve e blejnë kimio-preparatin, një pjesë tjetër ikin jashtë për t’u trajtuar, ndërsa një pjesë kërkojnë miq për t’u futur në listë.

Një ditë më pas, një tjetër deputete e PD-së, Fatbardha Kadiu, përmes një statusi në Facebook, kërkon që paratë e check up të kalojnë për herceptinën.

Duke nënvizuar se mjekët kanë frikë të dalin e të deklarojnë se mungojnë ilaçet, “sepse e shqelmojnë jashtë nga çdo klinikë”, Kadiu shkruan se disa shefa spitalesh "vënë brrylat, shtyjnë të sëmurët dhe i përgjigjen betimit të Ramo-narkokratit”.

Statusi i plotë i Kadiut:

Dje kolegia ime e deputete e Komisionit të Shëndetësisë, denoncoi mungesën e ilaçeve në QSUT. Denoncoi mungesen e herceptinës që e kanë jetike të sëmurët me kancer.

Qeveria reagoi duke përdorur një punonjëse shëndetësie e cila me “ua ua” recitoi “sa shumë ishte habitur se pacientët e kancerit janë të lumtur me QSUT-ënë tonë”. 
Madje kjo aparatçike e pashëndetshme ndaj të vërtetës na këshilloi që nëse duam të informohemi për të sëmurët mos pyesim ata, por vetë shefat e QSUT.

Turpi i parë është që e quajnē veten mjekë dhe duhet ti përgjigjeshin betimit te Hipokratit që kanë bërë.

Këta mjeranë vënë brrylat, shtyjnë të sëmurët dhe i përgjigjen betimit të Ramo-narkokratit.

I drejtohem kastës se nderuar të mjeksisë të cilët kanë sakrifikuar për jetët e njerëzve dhe kanë punuar edhe pse i kanë vënë mbi krye shefa si te Ezopit gomerë e tradhëtarë.

I drejtohem atyre që e dinë shumë mirë që sot njē i sëmurë me kancer, pa herceptinë dhe pa ilaçe vuan një kancer edhe më të rëndë; ka frikë të dale e të deklarojë që nuk ka ilaçe sepse e shqelmojnë jashtë nga çdo klinikë.

I drejtohem atyre njerëzve të nderuar të mjeksisē që kuptojnë se diz-humanizimi i mjekut është më i rëndë se dez-informimi i propagandës dhe shitjes së shpirtit te ndonjërës për pak shefllëk!

Mungesa e herceptinës është urgjente, dhe urgjente është që paratë të kalojnē nga check up që s’i bën njeri, tek herceptina!