Kryeministri Edi Rama në fjalën e mbajtur në Kongresin e PS-së falënderoi liderin historik të PS-së Fatos Nanon, duke thënë se ai ishte fillimisht “babai i tij politik”, më pas e “vrau” dhe më tej e gjeti të rilindur.

“Faleminderit të gjithë atyre që na mbështetën në këtë betejë të mandatit të tretë, faleminderit të gjithë atyre që i dhanë Partisë Socialiste fitoren këtij mandati historik.

Faleminderit liderit të parë politik të Partisë Socialiste, Fatos Nanos, babit tim politik, që në fillim e desha pastaj e vrava dhe më më pas e gjeta të Rilindur në respektin dhe vëmendjen e ndërsjelltë.

Mbi të gjitha dhe mbi të gjithë faleminderit gjyshërve dhe gjysheve, burrave dhe grave që këto tre dekada e regjistruan emrin në listën e anëtarësisë së Partisë Socialiste.

U prehshin në paqe të gjithë ata mes të cilëve nuk jetojnë më. Nga socialisti dhe socialistja në skajin më të largët të Shqipërisë e deri tek miku im Bashkim Fino.

Faleminderit të gjithë socialistëve dhe socialisteve që prej vitit 2005 më kanë dhënë mbështetjen në drejtimin e kësaj force politike.”- shprehet Rama.

Edi Rama vlerësoi edhe Ruçin për dorëheqjen, duke u shprehur se ai kishte qenë siguria për kryetarët e PS-së.

“Ndjeva sikur m’u këput krahu kur Ruçi dha dorëheqjen. Nuk e di si do të mbushet boshllëku i tij. Pa Gramozin, do kishim humbur disa sfida. Ruçi do të mbetet njeriu im më i besuar në këtë drejtim, do ketë boshllëk të një udhëheqjeje të pashoqe, askush nuk është i pazëvendësueshëm e di, por jo çdokush është i zëvendësueshëm.

Ta pranojmë me respekt vendimin e tij. Është art më vete të zbresësh nga politika, dashtë Zoti ta kem edhe unë dhuntinë e këtij arti. Të jam mirënjohës për çdo nxitim që mund të kem pasur. Sinqerisht faleminderit miku im, për këshillat. Ruçi ka kaluar me dy kryetarë, për 30 vjet ka vënë në radhë KPD-ja, grupe, ka mbledhur Asamble etj. Gramoz Ruçi hoqi i pari fjalën “shoku” dhe futi atë “zoti”. Ruçi na ka dhënë siguri ne kryetarëve. Gramozi ishte i pari në sakrifica dhe i fundit në pretendime. Të falënderoj nga thellësia e zemrës, i dashur Gramoz”, u shpreh Rama.