Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, tha se së shpejti do të hidhen themelet e një teatri të ri modern. Në këtë 100-vjetor të Tiranës kryeqytet, Veliaj u shpreh se krahas godinës së re për bashkinë, do të nisë edhe ndërtimi i një godine të re të teatrit, që sipas tij, do të krijojë kushte komode për artdashësit.

“Jam shumë i vendosur të vazhdojmë me Teatrin e Ri. Për të gjithë ata që thonë kur do prishet, kjo nuk është sipas qejfit, por sapo të kenë mbaruar të gjitha procedurat, sapo të shkojë në Parlament kontrata e re, të jepet leja për Teatrin e ri dhe ne do të kemi teatrin më të bukur në të gjithë Europën Juglindore. Tirana e meriton që në 100 vitet te ardhshme të mos shkojë në teatër me batanije dhe qytetaret të rrethohen nga mbetjet e kashtës dhe shkrepëseve të Milanos fashiste”, tha Veliaj.

Më tej, Veliaj u shpreh se nisja e punimeve për teatrin do të lajmërohet publikisht dhe se gjithçka do të jetë e hapur dhe transparente.

“Për të gjithë ata që po lodhen aty, për mua rrini sa të doni , po nuk do ju’a bëjmë pa ditur, do ju lajmërojmë ditën që do të fillojë ndërtimi i Teatrit të ri. Në finale të gjithë do të mundohemi që të harrojmë kush ishte kundër, siç po harrojmë kush ishte kundër sheshit “Skënderbej, Pazarit të Ri, Lodrave te Liqeni, këtij Bulevardi dhe shumë prej investimeve të tjera sepse besoj kur ndodh gjëra e bukur të gjithë duan të jenë bashkëautorë. Suksesi ka shumë prindër, dështimi ngelet zakonisht jetim se të gjithë e pasojnë. Teatri do të jetë një sukses. Sukses i këtij 100 vjetori, ku do të fillojmë teatrin e ri, bashkinë e re dhe shumë prej projekteve që i kemi pranë zemrës”, theksoi kryebashkiaku.