Në episodin 18, të sezonit të 3,-të të PodKastit “FLASIM” që kryeministri Edi Rama e kishte quajtur “Kingu”, i ftuar ishte këngëtari Alban Skënderaj.

Tashmë prej 2 dekadash në skenat shqiptare, Skënderaj rrëfeu jetën e tij prej artisti, foli për planet në të ardhmen ndërsa ndau edhe momente magjike të jetës së tij familjare.

“Mund të ishte edhe mbret në kohën, kur mbretërit krijonin vetveten por është një king”, tha Rama në nisje të bisedës së tij me Skënderajn.

Skënderaj tregon se dëshira për artin i lindi në Itali, ku shkoi në marsin e vitit 1997, kur ishte vetëm një adoleshent.

Këngëtari rrëfeu edhe rrugën për të mbërritur në brigjet italiane, një rrëfim i dëgjuar prej mijëra e mijëra të rinjsh që prekën brigjet pas një dyluftimi për jetë a vdekje me detin.

Skënderaj thotë se i kishte treguar vetëm të ëmës që do të shkonte në Itali, edhe pse ishte 15 vjeç.

Frika për të mbajtur pranë vetes në marsin e mbrapshtë, i dha kurajë nënës ta lejonte të shkonte e të bashkohej edhe me dy vëllezërit e tij më të mëdhenj, që tashmë ishin vendosur atje.

“I thashë vetëm mamasë që do të iki vetëm për të parë e të kthehem. Ishte një anije që ishte 3 ditë e mbushur. Anija kishte 80 veta kapacitet dhe brenda ishin 400 vetë. U prish timoni. I gjithë udhëtimi në det ka qenë anija zig – zag. Unë për pak rashë. Mbaj mend një djalë që më ka kapur prej xhupit të xhinsit të lehtë. Rrëshqita.

Më kapi gjysmën e trupit jashtë e gjysmën e trupit brenda. Po të kisha rënë nuk do të më kishte parë njeri. Më pas na ndaloi “Guardia di Financa”. Aty ishte fatale. Sepse ndaluan të na jepnin ushqim dhe të gjithë që ishin brenda në anije dolën jashtë e anija po mbytej. Na hodhën në një anije luftarake ku udhëtuam disa orë të tjera.

Gati 20 orë zgjati udhëtimi. Na çuan në një kamp ku kam kujtime sa tragjike e komike. 2 javët e para nuk kam pasur kontakt me familjen. Udhëtimi ishte vetëm një ditë para mbytjes së anijes në Otranto. Dikush u kishte thënë familjarëve që kemi parë Albanin në anije”, tregon Albani.

Më pas ai tregon për koncertin që do të mbajë së shpejti në stadium.

“E shoh veten edhe pas 20 vitesh duke kënduar. Mendoj se nëse do arrij të mbush sot stadiumin, do të mundem edhe 2 dekada më pas”, shprehet ai.

Ai tregon se ëndrrën e tij e realizoi duke u kthyer në vendin e tij, në Shqipëri.

“Shumë njerëz po kthehen të realizojnë ëndrrat në vendin e tyre. Por përtej artistit jam munduar të jap një shembull, si njeri dhe mundohem të marr vendimet e duhura”, thotë Albani.

Biseda rrjedh dhe Albani kërkon të dijë edhe se si e sheh veten kryeministri Rama pas 2 dekadash.

“E kam thënë ku e shoh veten. Duke u marrë me gjërat që kam mësuar dhe me gjërat që nuk kam mundur të mësoj si për shembull të qep e duke ndarë eksperiencën e shijen me njerëzit që nuk më zgjedhin por i zgjedh.

E shoh veten shumë thjeshtë në katund duke u marrë me shijen e të parit e të dëgjuarit e të folurit, të krijuarit të gjërave përmes të folurit, të të dëgjuarit.

Dua të jem një katundar pa pretendime i pabezdisshëm dhe i padukshëm, por thjesht i gatshëm për ata që kam dëshirë të takoj dhe kanë dëshirë të më takojnë. Është një lloj përgatitjeje për t’u ndarë me këtë jetë”, tha Rama.