5 gusht 2015 – Gjatë 7 muajve të parë të këtij viti, si në hyrje edhe në dalje nga porti i Durrësit, ka pasur thuajse të njëjtin numër udhëtarësh si vitin e kaluar.
Nga të dhënat operative të Sektorit të Statistikave, mësohet se në portin më të madh të vendit kanë mbërritur 156.225 udhëtarë, vetëm 1764 udhëtarë më shumë se sa janë nisur me tragete nga i njëjti port. Ndërkaq në 7-mujorin e vitit të kaluar, diferenca mes këtyre dy shifrave ishte më e madhe se 22 mijë udhëtarë.
Shifrat e përgjithshme të udhëtarëve janë 5 përqind më të ulëta se sa në 7-mujorin e vitit 2014. Tragetet kanë kryer 538 lundrime, ose 58 më pak se sa vitin e kaluar me një numër të përgjitshëm prej 310.686 udhëtarësh dhe 54.759 autoveturash.
Mësohet gjithashtu se që nga fillimi i këtij viti, mbi 206.000 shtetas shqiptarë, ose afro 3 mijë më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2014, kanë preferuar të udhëtojnë me tragete.
Shifrat e përgjithshme të transportit me tragete janë më të ulta se sa vitin e kaluar, ndërsa mësohet se në këtë sektor ka pasur një rritje prej 3 përqind në transportin e mallrave.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/