Porti i Durrësit dhe zona bregdetare pranë tij u minuan nga forcat naziste në vitin 1944, menjëherë pasi qyteti u boshatis nga banorët. Për disa muaj radhazi pushtuesit “mbollën” në bregdet dhe në zonën portuale qindra tonelata eksplozivë.
Atmosfera e pazakontë e një qyteti fantazëm përshkruhet artistikisht në romanin “Njeriu i netëve të vjeshtës” të autorit Gjergj Vlashi, publikuar në vitin 1995 nga shtëpia botuese “Globus R”.
Porti detar dhe bregdeti i Durrësit bënin pjesë në planet e koalicionit antifashist për një zbarkim të mundshëm dhe hitlerianët përgatiteshin për të përballuar një mësymje të mundshme detare.
Sipas studiuesit Besnik Alibali (1934-2015), brenda një viti nga plazhi i Currilave deri në jug të Kavajës, përfshirë portin e Durrësit, nazistët vendosën mbi 100 mijë mina kundërtanke dhe 200 mijë të tjera kundër këmbësorisë. Në librin e tij “50 vjet mbi mina” koloneli Alibali shkruan se dëndësia e minimit arrinte shkallën 5, pra pesë objekte vdekjeprurëse në çdo 1 metër linear front.
Minat “telerminen” me 2-3 elemente befasije, ato “Holzmine” dhe “Shrapnel” me rreze asgjësimi 100-200 metra si dhe minat e betonit “Stockmine” ishin të panumërta. “Në zonën e minuar çdo qytetar duhet “të mbante mbi shpatulla” 7-10 copë mina, ndërsa në det u vendosën mijëra mina të tjera. Një provë me shpërthimet hodhi në erë një pjesë të portit detar.
Menjëherë pas Çlirimit, më 5 prill të vitit 1945 nisi zyrtarisht operacioni i madh “kirurgjikal” për t'i shkëputur tokës rrezikun e vdekjes. Brenda katër muajsh nga plazhi i Durrësit u hoqën 17 mijë mina kundër tanke dhe 2.500 mina këmbësorie. Xhenjerët Arif Osmani, Panajot Haxhimihali, Dilaver Hamzai, e Zenel Skendo janë disa nga dëshmorët e parë që ranë duke shkulur rrënjët e vdekjes nga toka-shkruan Besnik Alibali, i cili themeloi dhe drejtoi për disa vite Komitetin e Miqve AntiMinë, pjesë e organizatës ndërkombëtare me të njejtin emër që fitoi në vitin 1997 çmimin Nobel për Paqen.