Në periudhën janar –qershor të këtij viti, tragetet e linjave Durrës – Bari dhe Durrës – Ankona – Trieste e kthim janë shfrytëzuar nga 274,779  udhëtarë me 50,463 autovetura gjithsej. Sektori i Statistikave në APD bën me dije se shifrat janë më të larta përkatësisht 2 dhe 3 për qind, krahasuar me 6-mujorin e parë të vitit 2016.

Tragetet kanë kryer 448 lundrime, ose 42 më pak se sa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, por numri i udhëtarëve dhe autoveturave në hyrje dhe në dalje nga porti më i madh i vendit ka pasur një rritje prej 2 dhe 3 për qind.

Në Terminalin e trageteve kanë mbërritur 122.891 udhëtarë me 26.692 autovetura, ndërsa drejt Barit dhe Ankonës janë nisur nga i njëjti Terminal 151.888 udhëtarë me 23.771 autovetura. Numri i autoveturave në hyrje është më i madh se sa në dalje, ndërsa ndodh e kundërta me shifrat e udhëtarëve.

Ndërkaq, rritje ka patur edhe numri i udhëtarëve të huaj që zgjedhin tragetet. Në 6-mujorin e parë të vitit në vazhdim 60.842 shtetas të huaj kanë preferuar të udhëtojnë me tragetet nga/drejt Durrësit.

Gjatë gjysmës së parë të këtij viti tragetet, bashkë me udhëtarët dhe autoveturat, kanë transportuar 406.496 tonë mallra të ndryshme, të ngarkuara në kamionë dhe trajlerë.