*182 mijë tonë, produkt “Made in Albania” vetëm për eksport

Mbi 288 mijë tonë çimento gjithsej janë përpunuar në portin e Durrësit gjatë vitit 2018.

Sipas të dhënave të Sektorit të Statistikave në APD, 182.357 tonë i përkasin eksporteve, prodhime të fabrikave të rajonit të Fushë-Krujës, të cilat ngarkohen në anije tregtare kryesisht në Terminalin Lindor.

Ndërkohë në kalatat e Terminalit Perëndimor janë shkarkuar gjatë vitit të kaluar 106.133 tonë çimento e importuar për llogari të biznesit shqiptar.

Eksporti i çimentos nga Durrësi drejt vendeve të tjera po vijon edhe në këtë fillim viti. Çimento e prodhuar në fabrikat pranë Fushë-Krujës dhe që shfrytëzohet për industrinë e ndërtimit, i është drejtuar kryesisht porteve të Margheras (Itali) dhe të Maltës.

Gjatë vitit 2018 në portin e Durrësit u përpunuan mbi 3.6 milionë tonë mallra gjithsej.