Kush ka arritur ta kuptojë që shpella, te filmi “Shpella e Piratëve” në të vërtetë nuk është xhiruar në një shpellë të vërtetë, por në studio?
Duhet të jesh i fushës, o maniak filmash (në këtë rast, shqiptarë), që të shohësh me vëmendje edhe listën e emrave të pjesës tjetër, paskuintave, në fillim e fund të filmit, por janë ata që i japin formën e vërtetë. Emri i piktorit Shyqyri Sako (“Artist i Merituar”) ka qenë në më shumë se 40 prej tyre. E nisi punën menjëherë sapo u kthye nga Moska, ku studioi në Institutin e Kinematografisë dhe përfundoi ditën që duhet të dilte në pension.
Kishte fuqi të vazhdonte më gjatë, por meqenëse rregullat ishin rregulla (me këtë Sako kishte bashkëjetuar mirë gjatë gjithë jetës profesionale) u tërhoq për të pikturuar në shtëpi, siç kishte bërë që fëmijë. Shyqyri Sako mbeti jetim në moshë fare të vogël, nuk kishte bërë ende 7 vjeç. Mamaja, edhe pse lufta e largoi herët nga jeta, i kishte trashëguar të bijës e të birit aftësitë e saj si qëndistare e shkëlqyer, vetëm se, në një formë tjetër.
Ato pak lapsa e letra që gjendeshin në jetimore, motra e Shyqyriut i shfrytëzonte të gjitha për të vizatuar. Natën, i vëllai merrte gjithë ç’linte e motra përgjysmë dhe vazhdonte punën. Në mëngjes ia tregonte. Kështu u zhvilluan aftësitë e para të Sakos si piktor, deri sa u bë i denjë për të vazhduar Liceun Artistik…
Se si shkoi në Moskë, si fitoi të drejtën për të punuar në 40 filma, si nuk pati asnjëherë probleme me sistemin dhe ca prapaskena nga filmat e Kinostudios, Shyqyri Sako i tregon për “Panoramën”.
Sa e thjeshtë ishte për një fëmijë jetim, të papërfshirë në asnjë rreth a rrethanë politike, të fitonte të drejtën e studimeve në Moskë?
Nuk ishte e thjeshtë, por në fund nuk rezultoi as e vështirë. Unë përfundova Liceun Artistik me të gjitha 5-a, por nuk po më dilte e drejta e studimit. Prita 3 vjet deri sa vendosa të shkoja vetë të takoja Manysh Myftiun, ministrin e Arsimit të kohës.
Trokita në zyrë dhe e pyesja se sa duhet të prisja ende për të fituar të drejtën e studimit! Përgjigjja ishte ajo që pritej: nga vjen dhe kush je?
Kur i tregova që vija nga jetimorja e më pas pa listën e notave, nuk e zgjati, më pyeti ku doja të shkoja dhe më premtoi se bursën e parë që do të dilte për Moskë do ta merrja unë. Ashtu u bë! Studiova atje në Institutin e Kinematografisë për 3 vite, sepse u prishën marrëdhëniet tona me Rusinë dhe u ktheva për t’u diplomuar në Akademinë e Arteve.
Thuajse të gjithë studentët që u detyruan të ktheheshin prej andej ishin zemërthyer. A latë ju ndonjë dashuri përgjysmë në Moskë?
Jo, as i hyra ndonjëherë asaj pune, sepse u fejova përpara se të shkoja për studime. Shkruaja letra përditë për në Tiranë e më vinin po aq shpesh prej këtej. Ime shoqe nuk është më prej pak vitesh, por e ruaj ende valixhen me letrat që shkëmbenim, rëndon plot 10 kg. Nuk kam gjetur ende forcën që ta hap e t’i rilexoj, por i kam sistemuar e janë të gjitha të rregullta.
Do të ishin materiali i duhur për një film për të cilin mund të zgjidhni edhe piktorin. Cili ishte filmi i parë ku punuat si piktor, pas përfundimit të studimeve?
Filmi i parë ka qenë “Detyrë e posaçme”. Sa mbarova, regjisori Kristaq Dhamo më tha: “Hajde se të presim, ti je i përgatitur dhe kemi nevojë për ty. Bëhet fjalë për një film shumë të vështirë”. Dhe filmi ishte vërtet shumë i vështirë. Problem ishte veshja e diversantëve që hynin në Shqipëri. Këto veshje ishin mister për mua, ku t’i shikoja. Atëherë vajta në Ministrinë e Brendshme dhe më dhanë katalogët me veshjet e tyre. I qepëm sipas skicave dhe nuk dalloheshin se ishin qepur në Shqipëri apo ishin blerë jashtë. Megjithatë, e gjithë kjo përpjekje nuk mjaftoi për aktorin Ndrek Luca, që njihej që ishte zevzek e nuk i pëlqenin kollaj gjërat. Në fund, sigurisht që gjendej fjala sepse e donte puna por, ta bënte procesin të vështirë.
Aktorët në përgjithësi janë të tillë. Përveç Ndrec Lucës, duhet të ketë pasur edhe të tjerë që bënin naze…
Jo, në përgjithësi jemi marrë vesh mirë. Ata që ndërhynin e bënin vetëm për të mbuluar disa detaje të trupit që të dukeshin më mirë. Për shembull, te “Komisari i Dritës’, Rikard Ljarja duhet të dukej trupdrejtë, vërtet komisar, mirëpo ishte me shpinë pak të kërrusur e këto gjëra duheshin ndrequr. Punohej me kostumin me vata artificiale, që të dukej sa më mirë.
Te lista e filmave ku keni punuar është edhe “Njeriu i mirë”. Më kujtohet që Eva Alikaj më ka thënë se kujdesej vetë për veshjet e saj dhe, në fakt, kjo gjë bie në sy thuajse në çdo film të sajin, duken më modernë se koha kur jetohej… A lindnin probleme prej këtyre gjërave?
Po, e kujtoj që Eva ka dashur gjithnjë veshje moderne, shumicën e siguronte vetë, por përdoreshin edhe copat e Kinostudios. Te “Njeriu i mirë” unë nuk jam marrë me kostumet. Vetëm në tre filmat e parë kam bërë edhe kostumet, edhe arredimin e ambientin.
Një ndër këta tre filma të parë ka qenë edhe “Toka jonë”, ku aktorja Roza Anagnosti ishte gjithashtu shumë e re dhe sapo u njoh me Dhimitër Anagnostin. Çfarë kujtoni nga prapaskenat e këtij filmi?
Më kujtohet që për fustanin e Roza Anagnostit shkoi gjithçka shumë mirë, por asaj i humbi shamia. Ishte një copë mjaft e veçantë që nuk mund ta gjeja më, s’kisha si ta zëvendësoja. Sigurisht që filmi ishte bardhezi, por më duhej përbërja e copës të ishte ajo. Mirëpo, Roza, në ato kohë, sapo kishte filluar të takohej fshehtas me Dhimitrin dhe andej nga shkonin, i kishte humbur shamia. Kishte filluar të binte erë kjo gjë dhe shkova te Dhimitri, i thashë më gjej shaminë ku e keni lënë, se nuk kam si ta zëvendësoj. Mirëpo nuk e gjetëm dot dhe e zëvendësova me diçka tjetër.
Nuk ishte kaq e zakonshme një histori dashurie asaj kohe… e mbajtën të fshehtë deri në fund?
Po, më vonë kur u kthyem në Tiranë u bë publike, por edhe atje u kuptua thuajse nga të gjithë. Dhimitri ishte operator dhe për një skenë fare të vogël shtyu xhirimet. Duke shtyrë xhirimet, kishte mundësi të qëndronte ca net më shumë në hotel. Mirëpo ne donim të gjithë të ktheheshim në shtëpinë tona. Ai këmbëngulte, nuk e xhironte skenën, sepse s’kishte diell mjaftueshëm. Ai nuk donte diellin, donte hënën, po ne si të bënim?! Përtej shakave, skenari e kishte vërtet një sekuencë të tillë dhe ajo që kërkonte Dhimitri ishte e drejtë, por ishte një skenë shumë e vogël që po na linte të gjithëve aty për të pritur diellin. Si përfundim, ashtu u bë, u shtynë xhirimet deri sa doli dielli.
Si u njohën, ju ishit të gjithë aty me njëri-tjetrin, flisnit apo jo…
Më kujtohet që kemi qenë në dhomën e grimit. Ai sa e pa, më ra menjëherë në bërryl dhe s’kishte faj, sepse Roza ishte shumë e bukur. Më pyeti si të bëj, e unë i thashë ti e di vetë, po shiko hap sytë se e ke të dytë!
Keni thënë në një intervistë se keni rrezikuar të penalizoheni për shkak të një dhome që kishit arreduar te “Kapedani”, e cila ishte tepër moderne për kohën?
Më kujtohet se në filmin “Kapedani” kam pasur shumë punë. Mendoni që Albert Vërria ka qenë 30 vjeç atëherë dhe në film duhet të dukej sikur është plak. Por ishte piktura ajo që desh më futi në telashe. Arredimi i shtëpisë në ëndrrat e xha Sulos u interpretua si shumë modern. Si t’ia shpjegonim censurës politike se ajo është balerinë, artiste, duhet menduar ndryshe dhe, në fund të fundit, është vetëm një ëndërr, nuk është realiteti. E pranuan si të tillë, nuk e ndryshuan, por shpë- tova për fije. Filmi “Kapedani” kishte skena shumë të vështira për xhirime, por ka mbetur ende sot e kësaj dite film që pëlqehet e shihet shpesh nga të gjithë.
Flasim për filmin tuaj të parë, “Detyrë e posaçme”. Pak skena të filmit janë xhiruar edhe te vila e Enver Hoxhës në Vlorë. Sa e lehtë ishte të realizohej kjo gjë?
Po, sepse gjenerali duhet të shfaqej në ambiente luksoze dhe më shumë se aq nuk kishte, mirëpo përpjekja duhet të ishte e madhe për t’ia dalë. U shfrytëzua rasti kur Enveri dhe familja e tij ishin në Tiranë dhe na u dha leja të bënim xhirimet atje. Se si na e dhanë mundësinë, habi qe, por lejen e morëm nëpërmjet Mehmet Shehut. “Mirë, -tha, – xhironi!”. Ne pamë vilën e Enver Hoxhës dhe na iku mendja… Kuptohet që u bënë xhirime shumë të kursyera. Na lanë vetëm pak ambiente, jo të gjitha. Xhiruam në një ambient hyrës, ku Sandër Prosi zbriste shkallët, por nuk bëmë shumë xhirime nëpër mure. Ama, me aq sa pamë, nuk e harruam luksin, të parë në këndvështrimin e kohës.
Me teatrin ç’marrëdhënie keni pasur. Keni punuar?
Jo, teatri nuk më ka pëlqyer asnjëherë, më duket shumë artificial. Ky mbase është ndikimi i shkollës, por filmi është i gjallë, duhet jetuar si real, ndërsa teatri ka shumë zbukurime e sajesa që nuk janë të shijes sime. E kam ndjekur herë pas here, sidomos ndonjë shfaqje që bënte bujë, por nuk jam i dhënë pas tij, nuk është i vërtetë si filmi.