Një ditë më parë, në mbledhjen e Këshillit Bashkiak Durrës, kreu i tij Ani Dyrmishi informoi këshilltarët se prefekti i qarkut, Emiljan Jani kishte kthyer mbrapsht vendimin nr.93 të miratuar në mbledhjen jashtë radhe, të fillim shtatorit.

Dyrmishi deklaroi se në përgjigjen e tij prefekti Jani, pasi kishte verifikuar ligjshmërinë e vendimit të KB Durrës, e kishte konsideruar të pabazuar në ligj.

“DurrësLajm” po publikon më poshte faksimilen e shkresës zyrtare që prefekti Jani i ka dërguar Këshillit Bashkiak dhe kryetarit të bashkisë Durrës.

Në datën 6 shtator, këshilltarët bashkiakë miratuan vendimin nr.93 i cili i hapte rrugë bashkisë Durrës ta përdorte fondin e kushtëzuar të buxhetit të shtetit për Emergjencat Civile për vitin 2022 në masën 51984331,06 lekë për blerjen e mjeteve zjarrfikëse. Për blerjen e mjeteve zjarrfikëse parashikohej të përdorej shuma 46800000 lekë, ndërsa pjesa tjetër do përdorej për hartimin e planeve të gadishmërisë për digat në disa njësi administrative.

Por sipas prefektit Jani, ky vendim është i pabazuar në VKM-në nr.414, dt 08.07.2021 “Për miratimin e procedurave dhe kritereve të ndarjes dhe përdorimit të fondit të kushtëzuar të buxhetit të shtetit për mbrojtjen civile”.

Në të njëjtën kohë, prefekti Jani i është drejtuar me një shkresë zyrtare edhe kreut të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako, i cili është shprehur në po të njëjtën linjë.

Sipas Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, “përcaktimet e shkronjës dh) dhe shkronjës e) të VKM nr.414, dt 08.07.2021, janë shteruese dhe nuk parashikojnë që bashkitë të mund të përdorin fondin e kushtëzuar për mbrojtjen civile për blerje automjetesh”.

M.B.