Kryepeshkopi i Shqipërisë Anastas Janullatos vijon të jetë i shtruar në spital në gjendje të rëndë, pas ndërhyrjes kirurgjikale që kreu disa ditë më parë. Që nga e marta e kaluar, mjekët në njësinë e kujdesit intensiv (ICU) të spitalit “Evangelismos” të Athinës kanë punuar në mënyrë të vazhdueshme  për të zgjuar gradualisht Kryepeshkopin, raportojnë mediat vendase. 

Mësohet se procesi i zgjimit gradual të kryepeshkopit Anastas nuk ka dhënë ende shumë optimizëm për përfundimin me sukses të tij apo për deintubimin e tij eventual. Megjithatë, mjekët dhe infermierët e përkushtuar të ICU vazhdojnë përpjekjet e tyre për të stabilizuar shëndetin e Kryepeshkopit. Fatkeqësisht, trupi i tij ende nuk ka shfaqur shenjat e dëshiruara për t’iu përgjigjur ndërhyrjeve mjekësore. Në fund, theksohet se Kryepeshkopi i Shqipërisë Anastas po përballet me probleme të rënda me disa nga organet e tij jetësore.