Presidenti i sapozgjedhur Donald Trump deklaroi  të dielën se do të publikonte dokumente të klasifikuara në ditët e ardhshme në lidhje me vrasjet e presidentit të SHBA Xhon F. Kenedi, senatorit Robert Kenedi dhe liderit të të drejtave civile Martin Luter King.

Trump, i cili kthehet në Shtëpinë e Bardhë sot , premtoi gjatë fushatës se do të publikojë dosjet e fshehta të inteligjencës dhe të zbatimit të ligjit për vrasjen e Kenedi në vitin 1963, siç njihet gjerësisht presidenti i 35-të i Amerikës.

“Në ditët në vijim, ne do të bëjmë publike të dhënat e mbetura në lidhje me vrasjet e Presidentit Xhon F. Kenedi vëllait të tij Robert Kenedi, si dhe Dr. Martin Luter King dhe tema të tjera me interes të madh publik,” – theksoi presidenti amerikan, në një tubim në qendër të Uashingtonit.

Trump nuk specifikoi se cilat dokumente do të publikoheshin dhe nuk premtoi një deklasifikim të plotë.

Djali i Robert Kenedi dhe nipi i tij , kanë  thënë se besojnë se CIA ishte përfshirë në vdekjen e xhaxhait të tij, një akuzë që agjencia e ka përshkruar si të pabazi. Ish presidenti amerikan u vra gjatë një tubimi në 22 nëntor 1963 në Dallas Teksas.