Presidenti i Shteteve të Bashkurara të Amerikës Joe Biden konstatoi se: “Pandemia ka mbaruar. Ne ende kemi një problem me Coronën. Ne ende jemi duke punuar shumë në luftimin e këtij virusi, por pandemia ka mbaruar”, deklaroi 79-vjeçari në një intervistë për emisionin “60 Minutes”, të televizionit CBS.

Intervista është regjistruar ditën e enjte, kur presidenti Biden vizitoi ndër të tjera edhe një autoshou në Detroit në Michigan. “Siç mund ta shihni, askush këtu nuk mban maskë. Të gjithë duket se janë në formë mjaft të mirë, kështu që mendoj se situata po ndryshon dhe mendoj se ky është një shembull i përsosur i asaj që po ndodh”, theksoi presidenti amerikan, Biden.

Deklarata e presidentit Biden mund të shkaktojë trazira brenda vet administratës së tij. Vetëm pak javë më parë, qeveria amerikane i kërkoi Kongresit amerikan miliarda dollarë shtesë për të luftuar pandeminë, në mënyrë që të mund të vazhdojë të ofrojë teste dhe vaksinime, gjatë një vale të mundshme të Coronës në vjeshtë.

Megjithatë, kufizimet për shkak të virusit Corona në SHBA janë hequr në masë të madhe. Edhe lëvizjet dhe udhëtimet janë kthyer gati në nivelin e para pandemisë.