Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve mbërriti mbrëmjen e së martës në Durrës duke dhënë koncertin e radhës në qytetin bregdetar. Koncerti u mbajt në sheshin “Liria” dhe është i treti që zhvillohet këtë vit, në kuadër të turit veror, që Ansambli Kombëtar zhvillon në gjithë vendin.
Drejtori i këtij Ansambli, Sokol Marsi, u shpreh se në këtë mbrëmje do të jenë 30 artistë që do të ngjiten në skenë dhe të pranishmit do të shijojnë foklorin shqiptar i shprehur nëpërmjet këngëve dhe valleve tona tradicionale të të gjitha trevave.


Pjesë e këtij koncerti u bë edhe këngëtarja e re durrsake Violeta Beshiri, e cila vlerëson pjesëmarrjen në këtë koncert si dhe mundësinë për të interpretuar këngë të traditës.
Fest Folk 2026 titullohet turi i kësaj vere që po zhvillon Ansambli Kombëtar dhe ai i kushtohet traditës dhe trashëgimisë sonë kulturore, përmes këngës, valles dhe kostumeve popullore.





