Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla foli për mediat pas takimeve për negociatat me grupet parlamentare të opozitës, duke theksuar se PS është e gatshme që të mos zgjedhë një President të saj, por me konsensus.

Balla theksoi se, mazhoranca shpreson që Grupi parlamentar i PD-së të marrë vendim për të shkuar në tryezën e diskutimeve për emrin e ri të presidentit.

“Takime me dy prej grupeve të opozitës, PS e ka dëshmuar disponibilitetin për të kaluar me diskutime konkrete për emra konkretë, me të dyja grupet edhe nga ana e tyre gatishmëri për të hedhur në tavolinën e bisedimeve emra konkretë, Mediu na ka informuar edhe për një qasje për të ardhur me një emër apo disa emra konkretë nga ana e opoztës, dua t’ju them se shpresoj se nga ana e PD të ketë një vendimmarje për të ardhur edhe ata, disponibiliteti ynë për t’i dhënë një president të PS-së por të gjithë shqiptarëve është, por kjo ka disa afate, deri tani kishim mundësi që të shtynim afatet, por tani nuk kemi më mundësi. Nuk dua të hyjmë në shumë detaje se janë disa biseda shumë të frytshme. Ne nuk duam ta vrasim procesin, do të ishte kundërshti e asaj që do të flasim, në orët në vijim do të ulemi për emrin”, tha Balla.