Presidentit kroat Milanoviç nuk i ka mjaftuar polemika për Kosovën me qeverinë e vendit të tij dhe bashkësinë ndërkombëtare. Kreu i shtetit kroat ishte shprehur se bashkësia ndërkombëtare ia mori Kosovën Serbisë dhe Kroacia luajti një rol në këtë, duke krijuar një precedent për grabitje territoriale në të ardhmen.

Milanoviç, një ish-socialdemokrat i njohur për ofrimin e komenteve populiste të hapura që bien ndesh me qëndrimet e përbashkëta të BE-së, ka deklaruar pas kësaj se edhe Krimeja nuk do të jetë më e Ukrainës.

Milanoviç bëri gjithashtu të qartë se ai preferonte bisedimet e paqes sesa vazhdimin e ndihmës ushtarake për Ukrainën me tanke dhe avione ushtarake. Komentet shkaktuan zemërim në Kosovë dhe Shqipëri dhe së fundmi në Ukrainë.

Ministria e Jashtme në Kiev i konsideroi si të papranueshme deklaratat e Presidentit të Kroacisë. Kievi zyrtar shprehu dyshimin se Milanoviç mund të ishte bërë president i vendit të tij me një retorikë të tillë në vitet 1990, kur Kroacia po luftonte për të ruajtur shtetësinë e saj dhe votuesit do të kishin pranuar të mbyllnin sytë ndaj pushtimit të një pjese të territorit të vendit të tyre.

Në këtë kontekst qeveria ukrainase ju kujtoi mbështetësve të Milanoviç se për shkak të agresionit të jashtëm, Kroacia mund të kishte humbur një të tretën e territorit të saj, por falë luftës së tyre heroike, kroatët kishin arritur të mbronin pavarësinë e shtetit të tyre.