39 demokratë të Durrësit, Shijakut dhe Krujës do të jenë pjesë e procesit të primareve.
Njoftimi është bërë nga Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale, që ka bërë të ditur se Kryesia e Partisë Demokratike ka miratuar listat e kandidatëve për Primaret 2025.
Nuk dihet ende nëse kësaj liste do t’I shtohen edhe emra të tjerë, pasi për shkak se afati i dorëzimit të dokumentacionit ishte i shkurtër kandidatët nga diaspora kanë shprehur pak interes dhe për këtë arsye afati i dorëzimit të dokumentacionit është shtyrë deri ditën e shtunë, ora 24.00.
Ajo që bie në sy nga lista e miratuar e kandidaturave për qarkun e Durrësit është përfshirja në garë e disa prej figurave kryesore të partisë më të madhe opozitare.
Në primare do të marrin pjesë deputetja Andia Ulliri, e cila është emri i vetëm nga ligjvënësit e qarkut, që përfshihet në garë.
Pjesë e primareve do të jenë kreu i PD Durrës Luan Hoti, nënkryetarët Astrit Xhaferri, Dritan Burgija, ish-deputetët Igli Cara dhe Fatbardha Kadiu, ish-kandidatja për deputete Manjola Luku, ish- kreu i PD Osman Stafa, mjekja Edlira Shemsi, sekretarja për marrëdhënien me publikun Viola Kapidani, kreu i FRPD Durrës, Shyqyri Myrtollari etj.
Pjesë e primarëve të Durrësit do të jenë edhe emra të njohur të PD-së qendrore si sekretarja e marrëdhënieve me Publikun Jola Hysaj, zëdhënësja e PD, Floriana Garo, ish-drejtori i policisë së qarkut Durrës Emri Vata, sekretari për të drejtat e njeriut në PD Bislim Ahmetaj etj.
Ditë më parë, deputeti Ferdinand Xhaferaj dhe ish-kreu i FRPD Durrës, Artion Barjamaj njoftuan publikisht se nuk do të ishin pjesë e garës.
Në ditët në vazhdim pritet të bëhen të ditura modalitetet sesi do të zhvillohen primaret, që startojnë më 1 mars.
M.B.