TIRANË – Kompania që fitoi tenderin për privatizimin e Albpetrol-it nuk ka depozituar ende 10% e garancisë së kontratës, që i korrespondon shumës prej 85 milion euro. Lajmin e bëri të ditur zv/ministri i Ekonomisë Sokol Dervishaj i cili deklaroi për mediat se deri më 3 dhjetor, kur ka qenë afati i fundit për nënshkrimin e kontratës dhe derdhjen e 10% të garancisë kompania “Vetro Energy” nuk ka bërë asnjërën nga këto dy veprime.

“Në datën 5 tetor dhe aksionerët e kompanisë bënë prezent planin e zhvillimit, gjatë kësaj kohe komisioni i ngritur për negocimin për shitjen e aksioneve, afati ligjor i parë nuk ishte i mjaftueshëm për të përmbushur kontratën dhe për këtë arsye kompania në 1 nëntor kërkoi shtyrjen dhe për 30 ditë të tjera. Më 2 nëntor iu përgjigjëm pozitivisht kërkesës. Data 3 dhjetor ishte afati i fundit, por nuk ka pasur përfundim të negociatave, kompania nuk ka depozituar garancinë e kontratës dhe ministrisë i lindi e drejta dhe ka filluar procedurën e kërkimit të 85 milionëshit të garancisë. Kjo është situata. Nuk kemi kontratë dhe as depozitim të garancisë”,- deklaroi Dervishaj. 

Dervishaj hodhi poshtë zërat se njëri nga shkaqet e dështimit ishte mos hipotekimi i puseve nga qeveria, kur deklaroi se privatizimi nuk parashikonte shitjen e puseve, por dhënien në përdorim të tyre për një periudhë 25-vjeçare.

Vetro Energy ofroi 850 milionë euro për blerjen e Albpetrol dhe qeveria tha se kjo ofertë është e mbuluar sipas ligjit me garancinë përkatëse prej 10 për qind ose 85 milionë euro, e cila është verifikuar nga konsulenti 'Patton Bogs'.