Prodhuesi gjerman i automjeteve Mercedes-Benz po tërheq nga tregu pothuajse 1 milion makina nga e gjithë bota për shkak të problemeve të mundshme me sistemin e frenimit.

Kompania njoftoi në fundjavë se do të kontaktojë pronarët e automjeteve. Bëhet fjalë për 993,407 automjete në të gjithë botën, duke përfshirë 70 mijë vetëm në Gjermani.

Bëhet fjalë për modelet e viteve 2004-2015 dhe janë prekur seritë ML, GL dhe R-Class. Inxhinierët e kompanisë Mercedes kanë zbuluar një problem me sistemin e frenimit, të cilin e konsiderojnë të rrallë të ndodhë, por megjithatë do të përbënte rrezik për përplasje në rastin e një frenimi.

Kompania gjermane bëri të ditur se po fillon tërheqjen e këtyre modeleve nga tregu dhe inspektimin e automjeteve që mund të kenë defekt. Nëse është e nevojshme, këto pjesë do të zëvendësohen.