Konfliktin që ka lindur midis dy koncesionarëve në terminalin lindor të Portit të Durrësit, kreu i APD-së Gazmend Shalsi e ka quajtur një problem të mbartur, që kulmin e tij e pësoi në muajin qershor të këtij viti. Por me sa duket, zgjidhja e këtij konflikti nuk i përket Autoritetit Portual të Durrësit, por Ministrisë së Transporteve.

Sipas Shalsit, këtu ka një ngërç që Autoriteti Portual Durrës nuk e ka autoritetin e duhur për të ndërhyrë për zgjidhjen e këtyre problemeve. Kjo, pasi kontrata është nënshkruar midis koncesionarëve dhe Ministrisë së Transporteve.

Pra, Autoriteti Portual nuk e ka fuqinë e duhur për të marrë vendime në lidhje me këto koncesionare, theksoi kreu i portit Gazmend Shalsi, i cili në këtë mënyrë, përgjegjësinë për zgjidhjen e këtyre problemeve që ka aktualisht në Portin e Durrësit, ia hedh Ministrisë së Transporteve.

Nuk dihet se kur do të marrin fund këto mosmarrëveshje mes koncesionarëve dhe kush do t'i marrë "frerët" në dorë për zgjidhjen e tyre, por diçka është e sigurt: ky konflikt ndikon negativisht në rënien e volumit të punës, pasi çon në largimin e anijeve që vijnë për të përpunuar mallrat në Portin e Durrësit. Krahasuar me periudhën 11-mujore të vitit të kaluar, për vitin 2015, volumi i përpunimit të mallrave ka pësuar rënie me 9%.