DURRES – Me promovimin e librit “Historiku i Spitaleve të Durrësit”, të mjekut Bashkim Habibi, Biblioteka Publike e Durrësit hapi siparin e aktiviteteve “Durrësi për librin” për këtë vit. Moderatorja e përhershme e takimeve letrare, punonjësja e bibliotekës Teuta Dhima, prezantoi në një rezyme të shkurtër aktivitetet kryesore të organizuara nga biblioteka e qytetit një vit më parë.

Në fjalën e rastit që mbajti drejtoresha e këtij institucioni, Flora Dervishi, theksoi se veprimtaritë e librit kanë krijuar një urë të bukur komunikimi mes autorëve të ndryshëm, lexuesve dhe dashamirësve të librit. Në të njëtën kohë Dervishi theksoi se i vinte mirë që sipari i aktiviteteve letrare po hapej me një libër që ajo e cilësoi “dokument që i duhet memories së qytetit tonë.

Libri i kirurgut dhe mjekut ortoped Bashkim Habibi është i pari i llojit të tij për qytetin e Durrësit e për këtë arsye mbart vlera të shumëfishta si historike, etnografike, statistikore etj. Në 400 faqet e këtij libri dr. Habibi ka arritur të bëjë një kronologji dhe biografi të detajuar të historikut të spitaleve të Durrësit dhe mjekëve që kanë shërbyer për qytetarët durrsaë që nga lashtësia e deri në ditët tona.

Pas tre vitesh pune voluminoze dhe të lodhshme, dr. Habibi vjen para lexuesit me një vëllim-homazh për breza e breza të tërë mjekësh, që në kohëra të ndryshme, mes vështirësive nga më të shumëllojshmet arritën t’u shërbejnë mijëra pacientëve dhe të kthehen në simbole të mirësisë dhe dhembshurisë për qytetarët durrsakë për shumë shekuj me rradhë.

Në parathënien e librit të tij dr. Habibi shprehet: “Nga të dhënat del që shumë nga mjekët e lështësisë ose edhe ata të mëvonshëm, qofshin këta durrsakë apo të ardhur janë njohur për aftësitë e tyre profesionale jo vetëm në qytetin e tyre, por edhe më gjerë”.

Megjithëse kanë dhënë një kontribut mjaft të vyer për qytetin dhe emrat e tyre vazhdojnë të kujtohen nga shumë njerëz, madje janë shkruar edhe disa biografi për disa mjekë, ata e ndjenin mungesën e një vepre gjithpërfshirëse. Dhe mjeku Bashkim Habibi arriti t’ia dalë më së miri në këtë sipërmarrje që veç kostos në kohë ka edhe një kosto financiare, pasi shpenzimet e botimit janë përballur nga vetë autori i librit.

“Në qoftë se një njeri nuk di nga vjen është konfuz për të ardhmen, prandaj ky libër na ndihmon shumë për të njohur historikun e mjekësisë durrsake”,- tha gjatë fjalës së tij drejtori i spitalit të Durrësit, Taulant Baku.

Ndërkohë studiuesi i njohur durrsak Moikom Zeqo u shpreh se “të bësh një libër, që ka një katalogim të tillë emrash është një gjetje shumë interesante dhe një homazh që i bëhet mjekëve të Durrësit. Është një formë apeli për të na goditur neve në memorie dhe për të na thënë se në Durrës kanë shërbyer ndër vite e ndër shekuj me mijëra mjekë, një pjesë e mirë e të cilëve kanë mbetur të ngulitur në memorien kolektive. Një nga sekretet për t’i nderuar këta mjekë është t’i përjetësosh në një libër”.

Miku dhe kolegu i dr. Habibit, mjeku pediatër Dhimitër Gjergo pasi e përgëzoi për librin u shpreh se “mania e vjetër e Bashkimit për të koleksionuar foto dhe dokumenta u kurorëzua më së miri në këtë vepër që kemi në dorë”.  

Shumë nga të pranishmit e tjerë që morën fjalë si mjekët Miri Hoti apo Flamur Tartari nënvizuan vlerat e rralla të këtij libri si dhe bënë disa sugjerime të vogla për autorin mbi aspekte të veçanta, nëse në të ardhmen do ta kalojë edhe njëherë në duar për ta ripunuar.

Nga ana e tij dr. Bashkim Habibi, pasi falenderoi të gjithë të pranishmit për pjesëmarrjen dhe fjalët e mira bëri një ekspoze të shkurtër të historikut të spitaleve të qytetit dhe mjekëve të specializuar jashtë shtetit në Powerpoint.

Si rrallë herë odeoni “Nikolin Xhoja” ishte mbushur paraditen e sotme plot e përplot me mjekë të shquar të Durrësit, duke shërbyer si një takim brezash dhe eksperiencash, që kanë lënë gjurmë në memorien e përbashkët të qytetit.

Në një prononcim të shkurtër për Durrëslajm.com dr. Habibi u shpreh se tashmë që libri ka rënë në duart e lexuesve ai ndihet mirë, pasi reagimet e tyre kanë qenë mjaft pozitive dhe inkurajuese.

Duke kërkuar ndjesë për ndonjë harresë apo mos përfshirje të ndonjë anëtari të personelit mjekësor, për shkak të mungesës së materialeve ai theksoi se nëse në të ardhmen do të bëjë një ribotim të librit do të ketë parasysh gjithë sugjerimet e bëra nga miqtë e kolegët. Në të njëjtën kohë do të përfshihen në libër edhe mjekë të tjerë që për arsye nga më të ndryshmet, por kryesisht për shkak të mungesës së informacionit nga të afërmit (pasi një pjesë e konsiderueshme e mjekëve nuk jetojnë më) mungojnë në këtë botim.  

Libri i dr. Habibit është redaktuar nga bashkëshortja e tij, Desdemona, edhe ajo mjeke, ndërkohë që për galerinë e pasur të fotove të përfshira në faqet e këtij vëllimi, mjeku ortoped është ndihmuar nga fotografët Agron Meçaj dhe Leka Boshnjaku.