Shkrimtari i njohur durrsak Bashkim Hoxha promovoi mbrëmjen e së mërkurës romanin e tij më të fundit, “Asnjëherë të martën”.

“Të martën e kam pushim, nuk bëj vrasje. E kam ters”. Kështu e nis Hoxha librin e tij, ngacmimi për të cilin i ka ardhur nga ngjarje reale.

Në një atmosferë të ngrohtë miqsh, kolegësh dhe bashkëpunëtorësh, disa nga panelistët që morën fjalën u ndalën tek aspekte të ndryshme të interpretimit të ngjarjeve dhe personazheve të romanit, duke zbardhur këndvështrimin e tyre mbi fabulën e tij.

Autori i romaneve të tjera të njohura si “Kronikat e mjegullës”, “Duartrokitësit” etj këtë herë sjell për lexuesin një dramë të shoqërisë, të zbërthyer në aspektin psikologjik.

Pavarësisht profilit të tij si vrasës serial, personazhi kryesor i romanit, Vladi, shpërfaq edhe aspektin njerëzor, të ndrydhur fort në subkoshiencë.

“Vladi ishte përqendruar dhe po përjetonte një gjë më të madhe, shumë më të madhe se një vrasje. Ai po sodiste perëndimin e diellit…”,– shkruan Hoxha në një episod.

“Asnjëherë të martën” është vetëm romani më i fundit i shkrimtarit Bashkim Hoxha, por jo i fundit.   

M.B.