Në një mbrëmje poetike mes miqsh e dashamirësish, Ben Blushi ka promovuar në Durrës librin e tij më të fundit, “41 sekrete”.
Pas një udhëtimi disa mujor në vise të ndryshme të Shqipërisë, Blushi solli me librin e tij më të fundit një galeri personazhesh, të njohur e të panjohur, që përmes një fotoje bardh e zi e një sekreti të rrëfyer gjatë një bisede miqësore shpalosin para lexuesit shumë nga anët e panjohura të personalitetit të tyre.
Dhe kjo në disa raste ka krijuar keqkuptime apo qejfmbetje mes personazheve dhe autorit.
Gjatë bashkëbisedimit, ata i kanë besuar Blushit të fshehtat e tyre të mëdha ose të thjeshta, prandaj ata përbejnë një pjesë të historisë së 100 viteve të fundit të vendit.
“Është një libër që ngre shumë pluhur për shkak se nuk është fryt i fantazisë sime. Pra unë nuk kam sajuar një histori dhe ajo pastaj bën shumë tifozë, siç ka ndodhur me libra të tjerë përpara këtij. Ky është një libër më i thjeshtë, që e kam shkruar duke ecur nëpër Shqipëri, është një gamë njerëzish që po ta lexosh nga fillimi deri në fund, po të lexosh historitë e tyre dhe t’i bashkosh si një mozaik, duket sikur po lexon historinë e Shqipërisë, sepse secili tregon një pjesë të nga Shqipëria e vjetër apo e re”,- deklaroi autori në një intervistë për “Durrëslajm”
Megjithëse ka biseduar me shumë më tepër personazhe, ai zgjodhi për librin e tij vetëm 41. Por pse kjo shifër dhe jo më pak apo më shumë?
“Mendova 41 sepse është një numër optimal. Po të ishin 51 do të ishin shumë dhe libri mund të ishte shumë i trashë. Një libër shumë i trashë në kohët ku jetojmë, nuk lexohet. Njerëzit janë gjithnjë e më ekonomikë me kohën e tyre. Një libër me 31 personazhe do të ishte shumë i shkurtër. Më pëlqen numri 41 për shkak të ngjashmërisë anatomike që ka numri 4 me numrin 1. Janë si dy shkopa me sqep dhe qëndrojnë bashkë në mënyrë simetrike”,- tha Blushi.
Gjatë bashkëbisedimit me të pranishmit, Blushi zbuloi të tjera të pathëna nga bisedat me personazhet e tij dhe njëkohësisht hodhi dritë librin e tij atipik, krejt ndryshe nga romanet e tij të mëparshme.
M.B.