Siç e dini ka kohë që çështja e pronësisë është një nga problemet më komplekse të shoqërisë shqiptare, sepse përfshin brenda saj një sërë faktorësh, duke u bërë shpesh shkak për ndarje brenda në embrionin familjar apo dhe më gjerë. Sa shumë këta njerëz kanë luftuar për të marrë pronat e tyre dhe kanë mbetur ende aty ku ishin 20 vjet përpara duke u quajtur ish-pronarë, ndërsa ka pronarë, të cilët kanë prona dhe me të drejtën legjitime quhen të tillë. Kompleksiteti i kësaj derivon nga fakti se edhe vetë sistemi ligjor në përgjithësi ka një ngërç si ekuivalent i faktit human dhe etjes së pashtershme të individëve për t’u pasuruar në kurriz të tjetrit. Kur shumë vende të zhvilluara e kanë tejkaluar tashmë, ne jemi akoma nëpër gjykata, madje i kemi çuar çështjet e kësaj natyre deri në gjykatat ndërkombëtare. Vetë shteti pranon të kompensojë, sepse e ka të pamundur t’i japë zgjidhje deri në fund. Sikur të gjithë t’i drejtoheshin gjykatës së Strasburgut, fatura financiare do të ishte me miliona dollarë. Lind pyetja: kush do të paguajë?

Mimoza Saliaj: Pronën ta marrë ai që ka tapinë. Ju e dini shumë mirë se kush është përgjegjës për pronat. Ju e dini shumë mirë kush e mori gjithë bregdetin, një nga vendet më të mira për t’u gllabëruar. Sali Berisha e privatizoi gjithë bregdetin për familjen e tij. Politika e tij e ndyrë bëri që pronari të mos e marrë tokën që ka me tapi. Vetëm kur të shkojnë përpara ligjit këta kriminelë të vendit, Shqipëria do të jetë e barabartë me Europën. Vetëm me protesta mbarëpopullore hiqen nga politika kjo klasë gjakpirësish.

Juli Hidri: Se kuptoj pse duhet të jetë kaq e vështirë, që secili të marrë pronën e tij. Është çështje korrupsioni. Njerëzit e thjeshtë që jetonin në pronat e të tjerëve të marra nga sistemi komunist, u detyruan t’i lirojnë shtëpitë. Sot tokën nuk e merr dot edhe nëse je i vetmi pronar edhe nëse kjo tokë është bosh, sepse nuk i dihet mund t’i duhet ndokujt. Aty ku janë dy pronarë njëri mbi tjetrin, i dyti t’i paguaj tokën të parit dhe shteti të sigurojë zbatimin e ligjit.

Syrja Kurti:Po ju tregoj diçka reale. Toka ka qenë e Syrja Bej Kurtit (me dokumenta të Turqisë, Zogut etj). Atë tokë e mori dikush që punonte në fermë dhe ju dha tapia me ligjin 7501. Pra u bë ai pronar. Kjo ishte tapia e dytë, por atë tokë e zuri një verior dhe ndërtoi shtëpinë. Me ligjin e ALUIZNIT, ai pagoi paratë për ndërtimin dhe ju legalizua godina bashkë me tokën. Tapia e tretë. Më thoni ju të dashur miq se kujt i takon kjo tokë, sepse unë nipi i atij burrit nuk po marr gjë. Që i takon atij të parit e di dhe unë, por unë nipi i atij nuk kam marrë gjë ose më qartë nuk po më lenë radhë këta dy të tjerët as për t’u ankuar, sepse janë në gjyq me njëri-tjetrin. Dhe quhet arritje që i ke marrë tjetrit pronën dhe ia ke dhënë dikujt tjetër. Ndërsa t’i sheh si gëzon një anonim diçka që nuk i takon në asnjë lloj norme, ligji apo kanuni. Më lejoni të citoj një shprehje të Platonit: "Çdo pupull meriton regjimin (qeverinë) që e udhëheq" dhe ne përderisa i mbajmë në krye këta lloj politikanësh (pa përjashtim), tregon që këtë lloj klase politike meritojmë. Fajtori jemi po ne vetë! Jo më kot citova Platonin, sepse nëse do ishte një popull tjetër nuk do t’a pranonte këtë klasë udhëheqëse. Përderisa i mbajmë, tregon se janë fiks për ne. Po tregoj diçka. Kur u shpall pavarësia, i thanë Faik Konicës: "Faik bej, u bë Shqipëria!"…."Epo t’a gëzojmë,- tha Konica,- ishallah po bëhen dhe shqiptarët tani". A e dini ku është e keqja e jonë? Ne si popull dhe ato pak gjëra që na thonë nuk i bëjmë si duhet. Po kthehem pak mbrapsht në kohë. Enver Hoxha pretendonte se ishte kryetar i një Partie Komuniste, por Stalini nuk e njihte si të tillë (për këtë që them, ka dokumenta pafund). Në gjithë Evropën Lindore u vendos sistemi socialist, por askund komunizmi nuk ka qenë aq i egër sa këtu në Shqipëri, ku mijëra njerëz përfunduan në kampe pune, në internime dhe burgje, ku nuk të linin të mbaje as dhe një pulë në shtëpi, të mos flisje as dhe një gjysmë fjale kundër sistemit. E bënë çdo gjë me tallonë dhe ndaluan dhe fenë. Këto, Enveri nuk i bëri vetëm por gjeti shtratin të tillë. Po i kthehemi Gorbaçovit tani. Ai dha disa udhëzime, por ata ish komunistë që drejtuan lëvizjet në vendet e Lindjes nuk janë më në pushtet (Iliesku në Rumani, Zhelev në Bullgari, Gligorovi në Maqedoni etj). Madje në pushtet nuk është më as një antikomunist si Les Valesa i Polonisë, sepse këta ishin udhëheqës të tranzicionit dhe u harruan shpejt. Por këtu ka 20 e kusur vjet tranzicion dhe ky popull u cfilit fare dhe në pushtet është klasa politike e vitit ‘90. Kanë zënë rrënjë e nuk shkulen. Epo t’i gëzojmë atëherë dhe t’i mbajmë fort! "Dënimi i refuzimit të mosmarrjes me politikë është se rrezikon të qeverisesh nga inferiorët",- thotë Platoni. Karta e lirive dhe e të drejtave të njeriut fillon me moscënimin dhe paprekshmërinë e pronës private. Nëse shkelet kjo e drejtë, të gjitha gjërat e tjera pastaj, janë demagogji e pastër! Ka djem dhe vajza të mirë sa të duash, të zgjedhim ata, jemi ne që e kemi në dorë. Nëse nuk do t’a bëjmë këtë, do të na ikë jeta duke psherëtirë forumeve. Ja njërin po e propozoj unë dhe është tamam nga shoqëria civile (megjithese ai nuk pranon të merret me politikë). Indritin, i cili i ka qytetërim, shkollim, kulturë.

Indrit Nina: Unë nuk e hapa kot këtë diskutim, sepse duket në thelb politik, por në përmbajtje ka një strukturë që shkon përtej saj. Është për t’u theksuar që përgjegjësia është e shtetit dhe se partitë që vijnë në pushtet janë në funksion të tij dhe se këta të fundit kanë qenë në union. Me gjithë diferencat të ashtuquajtura ideologjike, përsa i përket ligjit famëkeq 7501, i cili për mua është faktori kryesor i destabilitetit ekonomik dhe politik të vendit, gjë që ja kam thënë personalisht Ramiz Alisë në vitin 2008 (në mos gaboj) në një debat të hapur që patëm. Nga ana tjetër prona private, simbol i kapitalizmit duhet të mos cënohet, t’i përkasë atij që i takon dhe jo atij që e punon, sepse edhe në Amerikë jepen me qira me qindra hektarë, por prona është e atij që e jep me qira, jo e imja që e punoj.

Luljeta Rama: E lexova me vëmendje dy herë. Lexova dhe komentet tuaja. Ju mirë e keni po tokat e pronarit i kanë zënë të ardhurit (malokët) dhe kur të del para me kallash, ti s’ke çfarë të bësh. I drejtohesh drejtësisë me të drejtën tënde të kërkosh atë që ty të takon, që na kanë lënë të parët tanë. Ok deri këtu, por më e bukura vjen mbrapa, sepse gjoja (drejtësia) ka rënë dakort me kushedi se sa e sa lekë me atë person që të ka zënë tokën dhe ty. Të thotë: po ke të drejtë toka është e jotja urdhëro. Ti mendon se je në rregull, sepse ata nuk vijnë të kontrollojnë tokën ku e ke, sa metra etj. Nëna ime ka trashëgiminë e të atit e mori vërtetë, por i kanë dhënë tokë guri dhe jo tokë buke. Nuk ia dhanë aty ku e kishte. Unë kam qenë shumë e vogël dhe e mbaj mend mirë vendin. Më çonte gjyshi shpesh atje dhe m’i tregonte por (drejtësia) nuk i vuri gjërat në vend siç duhej. Tani më thoni ku t’i marrë ai tjetri që ka prona e dyqane, që të parët tanë u rraskapitën. Më vjen inat, sepse fukarai s'ka dhe s'fiton kurrë dhe mbetet po fukara. Gjithmonë bëhet siç thonë ata dhe siç duan ata. Është e kotë, ngrihu në protestë e bërtit sa të duash më shumë do të vriten dhe asgjë s’do dalë në dritë. Ne jemi BAGËTI! S’ka, ne e hajmë ne e vuajmë çdo gjë. Sa mirë e the ti Indrit, toka është e atij që e jep me qira dhe jo e atij që e punon, por çe do se tokën e gjyshit tim e mori maloku nga ana e anës dhe gjyshit tim i dha shkëmbin, sepse ia kishte shitur tjetrit dhe s’kishte çfarë t’i jepte gjyshit (qeveria), ose ata që janë në këto vende pune. Gjithmonë fiton leku i tepërt, nuk fiton i drejti. Tani jemi njësoj, ata t’u pijnë lëngun letrave e ne t’i marrim erë shkëmbit, ose ta (gërmojmë).

Iljaz Bajraktari: Çështja e ish pronave deri më sot është një problem që rri pezull. Më erdhi shumë keq për një shokun tim, të cilit i kanë dhënë afat të lirojë shtëpinë ku shteti merr përsipër një kredi 35 milion me afat të gjatë shlyerjeje. Më takoi dhe ishte i shqetësuar dhe më tha:  Kam dy vajza dhe burrë e grua jemi me rroga, po kërkoj të blej një shtëpi të lirë, po nuk po gjej (sot nuk blihet hyrje poshtë 70 milionshit) nuk kam lekë. Shteti ynë shumë mirë që po jep pronat e marra nga sistemi komunist, por gjithashtu duhet të mendojë se ku do të  shkojnë këta njerëz që janë të varfër dhe nuk kanë mundësi të blejnë shtëpi. Ata punojnë dhe fitojnë sa për t’u ushqyer dhe veshur (për të mbajtur shpirtin gjallë dhe të nxjerrin fëmijët në jetë). Një mënyrë e mirë do të ishte ndërtimi i apartamenteve nga shteti, duke ua shitur me kosto ndërtimi me këtë kredi, ose t’ua jepte me qira të ulët. Shteti garanton çdo qytetar. Në rradhë të parë nuk kemi sistem. Çfarë është ky sistemi ynë Kapitalizëm, ekonomi tregu, nuk më duket ashtu.

Zhak Çezari: Po kjo është historia e njerëzimit, që kur është krijuar. Më i forti merr pjesën e luanit. Erdhi Sulltani i mori të gjitha, erdhi Zogu i mori të gjitha, erdhi Enveri i mori të gjitha, erdhi Berisha apo Meta i morën të gjitha. Njoh një person që bërtet dhe ulërin për tokat që i ka lënë gjyshi, i cili ka qenë ministër i Zogut. Si i ka marrë ato toka gjyshi i tij???? ashtu si po i marrin sot ministrat e Berishës.

Luljeta Rama:Jam e martuar në Vlorë, ju sjell një rast të ngjashëm me këtë të mikut të Iljazit. E nxorrën nga shtëpia se pronari me të drejtë donte pronën e tij. Kishte nevojë për këtë shtëpi, ai mund t’ia linte dhe me qira, por kjo shtëpi i duhej. Pronari me të drejtat e tij e mori shtëpinë, por ç'ndodhi me njeriun që doli nga shtëpia. I gjori me tre fëmijë dhe të dy prindërit u hodhën në rrugë. Po, po në rrugë të madhe. Po ju them që ai në mes të Vlorës, tek pazari përpara bashkisë. Vuri divanin aty në mes të sheshit dhe ngriti një çadër me mushama që të mos e lagte shiu atë së bashku me prindërit, fëmijët dhe gruan. Ç'bën qeveria në këto momente? Policia e arreston, i prish çadrën dhe fati i njeriut të gjorë bashkë me familjen nuk dihet. Ku është e drejta e njeriut sot që flitet aq shumë? Si ky rast ka me qindra të ngjashme. Më vjen keq se Shqipëria është bërë vërtetë për të qarë.