Një burim palestinez i tha sot AFP-së se një propozim i ri nga ndërmjetësuesit për luftën në Rripin e Gazës përfshin lirimin e 10 pengjeve të gjalla izraelite, një armëpushim 70-ditor dhe një tërheqje të pjesshme të ushtrisë izraelite nga territoret palestineze.

“Propozimi i ri, i cili shihet si një evolucion i qasjes dhe vizionit të të dërguarit të SHBA-së, Steve Witkoff, përfshin lirimin e 10 pengjeve izraelite të mbajtura nga Hamasi në këmbim të një armëpushimi 70-ditor, një tërheqjeje të pjesshme nga Rripi i Gazës dhe lirimin e një numri të burgosurish palestinezë. Ndërmjetësit e paraqitën këtë propozim në ditët e fundit”, theksoi burimi.

Propozimi i ri vjen ndërsa Izraeli intensifikon sulmin e tij në Rripin e Gazës dhe vjen pas raundeve të shumta negociatash të pafrytshme që nga prishja e armëpushimit të mëparshëm dy-mujor në mesin e marsit. Propozimi kërkon lirimin e “pesë pengjeve të gjalla izraelite brenda javës së parë të zbatimit të marrëveshjes dhe pesë të tjerëve para përfundimit të periudhës së armëpushimit”.

Një burim i dytë palestinez, pranë bisedimeve, i tha AFP-së se “Izraeli dhe Hamasi do ta studiojnë propozimin dhe të dyja palët do t’u përgjigjen ndërmjetësve”. Izraeli javën e kaluar tërhoqi ekipin e tij negociator nga Doha “për konsultime”.