Nga Jola Hysaj

Në një shoqëri ku ka degraduar i gjithë sistemi i vlerave dhe ku skandalet kthehen në normalitet nuk ka si të bëhet ndryshe, i mençuri bëhet për psikolog dhe budallai bëhet i ditur.

Mbaj mend nga e ndjera gjyshja ime që thoshte se ishte e gabuar t’i hapje gjithë kohës rrugë budallait se në fund ai dilte i pari dhe i mençuri qëndronte gjithnjë në fund.

Në një shoqëri ku pjesa më e madhe e shtresës së mesme vrapon për të kapur avionin e rradhës, ku shesin çdo gjë të mundshme për t’u arratisur nga Shqipëria “vendi që aderon shumë BE” kuptohet më se miri dëshira e madhe që kemi për ta bërë këtë vend.

Vit pas viti, fenomeni i emigracionit po merr përmasa alarmante dhe po përfshin segmente të shoqërisë me aftësi. Statistikat thonë se 79% e studentëve shqiptarë dëshirojnë të largohen nga vendi në raport me 65% në vitin 2018. Nga ana tjetër, 95% e atyre që studiojnë jashtë nuk dëshirojnë të kthehen.

Zhgënjimi i prindërve, sidomos i atyre me mundësi të larta ekonomike, shtyn të rinjtë të studiojnë jashtë, ndërsa të tjerët ikin nga mungesa e perspektivës dhe mundësive në vend. Rritja e dëshirës për emigrim zbulon dobësitë strukturore të ekonomisë dhe politikave, që në vend që të përmirësohen po përkeqësohen dhe nuk po gjenerojnë mundësi dhe perspektive për popullatën. Fenomeni i largimit është më i lartë në Shqipëri, se kudo tjetër në Europë.

Ti thuash të vërtetën vetvetes është vlerë e shtuar dhe për këtë po tregoj një histori, le ta quajmë “Histori Shqiptare”

I arsimuar dhe i mbushur plot ëndrra dhe pavarësisht për çfarë kishte studiuar del në atë çka është jeta reale. Me ëndrrën që të jepte kontributin e tij në shoqëri me besimin dhe shpresën se sakrifica do të shpërblehej duke kërkuar punë, por çdo derë ishte e mbyllur, pasi u përpoq shumë, ëndrra e tij u vra. I irrituar nga realiteti që preku, pasi tentoi për vite me rradhë të hapte dyert e punësimit hoqi dorë së kërkuari dhe zhytur në borxhe mori rrugën e emigrimit për një jetë më të mirë, për një shpresë më të madhe që quhet Evropë. Shqiptarët po rendin pafund dyerve të Evropës si azilant, si emigrant ekonomik.

Sot jetojmë në një vend ku depresioni masiv ka përfshirë vendin, ku ëndrrat dhe shpresat vriten sepse pasi familja dhe vetë individi bën një investim gjithë sforco dhe sakrifica për t’u arsimuar dhe për të qenë sa me profesional.

Kjo është e vërteta e madhe, a kemi sy për të parë dhe vesh për të dëgjuar? Kjo varet nga secili prej nesh, a jemi në gjendje që në vend që të ikim të rrimë dhe të marrim në dorë fatet tona? Kjo varet nga secili prej nesh. A duhet t’i lëmë kryeministrit të drejtën mbi fatet tona apo duhet të përcaktojmë fatin tonë dhe atë ta zbatojë kryeministri? E kjo varet sërisht nga ne.

Çfarë po presim ne shqiptarët, të na marrë Evropa për dore e të na thotë bëhuni apo do bëhemi për vete si fillim, pastaj për të tjerët?

Mjaft na vratë ëndrrat dhe shpresat, na lini të jetojmë të lirë. Mos e largoni pjesën më vitale të shoqërisë shqiptare, mos na e pini gjakun në presione dhe të na izoloni nga mungesa e zotësisë suaj për ta bërë Shqipërinë tjetër.

Përse kur jemi një vend në Evropë, kur Evropa për shqiptarët është vetë Shqipëria.