Shpesh mendohet se vetmia është pasojë e mungesës së miqve apo faktit që hezitojmë të jemi socialë. Megjithatë, edhe kur jemi të rrethuar nga njerëz, mund të ndihemi të vetëm. Dhe sa më shumë kalon koha, aq më e qartë bëhet kjo ndjesi.

Personat me nivel të lartë inteligjence kanë prirjen të socializohen më pak dhe në vend të kësaj kërkojnë më shumë qetësinë që u jep vetmia. Kjo nuk do të thotë se janë të vetmuar në kuptimin e mirëfilltë. Vetmia, për shumë prej tyre, është një luks që ua lejon mendja, ritmi i jetës apo edhe presioni që ndiejnë nga shoqëria.

Kjo ndjesi është veçanërisht e dukshme te gratë e brezit të ri, të cilat përballen me pritshmëri të larta: të jenë të bukura, të afta, të lexojnë për vetëzhvillim, të ruajnë pamjen e jashtme e të menaxhojnë gjithçka me përsosmëri. Përballë kësaj barre të vazhdueshme, gjithnjë e më shumë gra zgjedhin vetminë si një mënyrë për të marrë frymë. Udhëtimet solo janë kthyer në një trend që nuk lidhet vetëm me pushimin, por me nevojën për të mos qenë të varura apo të ndikuara nga të tjerët. Ky trend është aq i fortë sa shumë kompani e kanë kthyer në strategji marketingu.

Shoqëria shpesh i etiketonte gratë beqare si të vetmuara, ndërsa për burrat nuk përdorej e njëjta masë. Por sot, perceptimet po ndryshojnë. Vetmia nuk shihet më si turp, por si një zgjedhje për ata që duan të reflektojnë, të njihen me veten dhe ndoshta edhe me njerëz të rinj.

Shumë të rinj i shfrytëzojnë fundjavat për arratisje të shkurtra, shpesh me persona që i takojnë për herë të parë. Këto përvoja ndihmojnë në uljen e ankthit dhe thyerjen e monotnisë. Edhe pas udhëtimit, nuk është e domosdoshme që gjithçka të ndahet me të tjerët. Peisazhet mund të ndahen, por emocionet shpesh mbeten personale dhe të pakrahasueshme.

Personat inteligjentë e vlerësojnë shumë autonominë. Ata preferojnë të marrin vendime pa ndikuar nga të tjerët, të ndjekin rrugën e tyre, të mendojnë në mënyrë të pavarur dhe kreative.

Vetmia u jep hapësirë për të reflektuar, për të ndërtuar ide dhe për të vepruar pa shpërqendrime. Kjo nuk i përjashton nga marrëdhëniet shoqërore, përkundrazi, ata zgjedhin me kujdes kur dhe si të jenë pjesë e tyre.

Në fund të ditës, çdo njeri është i ndryshëm. Disa punojnë më mirë në vetmi, të tjerë frymëzohen nga praninë e të tjerëve. Por vetmia, kur është zgjedhje dhe jo pasojë, mund të jetë një burim fuqie dhe thellësie të brendshme. Për shumë njerëz inteligjentë, ajo nuk është boshllëk, por një hapësirë ku lindin idetë më të rëndësishme të jetës së tyre.