Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ishte sot në Tepelenë ku inspektoi punimet e rrugës Dukaj-Sinanaj, që lidh Tepelenën me Vlorën.

Ky aks ka përfunduar 75% të punimeve, ndërsa në shtator do të jetë gati.

“Është një aks i rëndësishëm përsa i përket lidhjes së Bashkisë Tepelenën me Bashkinë e Vlorës Kemi një ecuri shumë të mirë. Kemi nisur punimet në dhjetor të 2020-ës dhe 75% të gjithë vëllimit të punimeve janë përfunduar”, – u shpreh Balluku.

Rruga 14.5 kilometra ka ruajtur gjurmën e vjetër karakteristike dhe identitetin që ka pasur. Rruga,  jo vetëm lehtëson lëvizjen, por edhe daljen më lehtë e më shpejt të prodhimeve të zonës dhe lidhjen e saj me ekonominë turistike të bregut.

Ata që na ndjekin, shpeshherë bien pre e idesë që rrugët turistike janë të ngushta, duhet të jenë më të gjëra. Në fakt, jo. Rrugët turistike nuk duhet të jenë më të gjëra. Rrugët turistike kanë parametrat e tyre të njëjta në gjithë Europën, pasi nuk kanë prezencë trafiku intensiv dhe mundësojnë atë lëvizje që është lëvizja e nevojshme në akset turistike. Ajo që ka rëndësi është se tani, gjithë këto akse që janë duke u lidhur më në fund e kthejnë Tepelenën nga një xhep fals, në një pikë distribucioni të lëvizjes për turistët, qoftë ata që vijnë nga juglindja përmes Gjirokastrës, qoftë ata që vijnë nga perëndimi përmes Tiranës, apo ata që vijnë nga jugu përmes Sarandës. E gjitha bëhet një paketë e re fantastike turistike që zbulon një pjesë Shqipërie, që edhe njerëzit e që e njihnin e kishin braktisur. Pa llogaritur ekonominë e turizmit e agroturizmin dhe gjithë prodhimin blegtoral. Kjo zonë nga një zonë prodhuese të ushqimeve më të shijshme të malësisë së jugut, që braktisej e që vetëm mbijetonte për atë pjesë që vazhdonte të jetonte këtu, do kthehet tani në një pikë furnizimi për gjithë turizmin e bregdetit poshtë”, – nënvizoi Kryeministri Rama.