Pse SHBA do t’i strehojë muxhahedinët në Shqipëri? Ç’ fshihet pas grupit, sot aleat i SHBA, dikur në listën e terrorit? Eksperti gjermano-iranian Ali Sadrzadeh mbi një organizatë për të cilën flitet aq pak në Shqipëri.
Sipas raportimeve në mediat ndërkombëtare, në Shqipëri do të zhvendosen edhe 2000 muxhahedinë, ndërkohë që disa qindra jetojnë në vend. Pse vazhdojnë të kërkojnë amerikanët një vend strehimi për këtë grup?
Kjo po bëhet sepse muxhahedinët në një kohë të caktuar u bënë aleatë të amerikanëve. Nuk duhet harruar se ishin muxhahedinët që e bënë të njohur për herë të parë për opinionin publik botëror programin atomik iranian. Prej tyre kanë shkuar disa informacione nga Irani tek forcat amerikane të sigurisë. Ka po ashtu sinjale ose të dhëna se ata janë përpjekur të fitojnë edhe mbështetjen e disa politikanëve me influencë në SHBA, jo pa sukses. Ata vërtet u bënë aleatë të amerikanëve, por prania e tyre në Irak, pas rrëzimit të regjimit të Sadam Huseinit u kthye në problem për amerikanët.
Nuk kanë më “detyra” amerikanët për këtë grup pas marrëveshjes atomike me Iranin, dihet qëllimi politik i këtij grupi, rrëzimi i regjimit në Teheran…
Vërtet ata janë kthyer në një problem, më saktë një mbetje problematike nga e shkuara. Pas rrëzimit të Sadam Huseinit, amerikanët u përpoqën të bënin presion ndaj qeverisë së re, sepse ata që erdhën pas Sadam Huseinit i shikonin muxhahedinët si aleatë të Sadam Huseinit. Kështu ata ndodheshin në rrezik. Kampet e tyre janë sulmuar disa herë, dy herë ata janë zhvendosur brenda Irakut. Amerikanët janë përpjekur t’i mbrojnë, por ndërkohë kjo është bërë e pamundur, sepse qeveria e Bagdadit nuk do t’i ketë ata më në vend. Rrezik tjetër përbën edhe fakti që iranianët nga Irani me influencën e tyre në Irak mund t’i sulmojnë, ashtu si ka ndodhur në të shkuarën, kur kampet e tyre janë sulmuar me raketa. Muxhahedinëve i është ofruar nga Kombet e Bashkuara, UNHCR, t’i intervistojë ata personalisht se ku duan të shkojnë. Por drejtuesit e tyre donin të zhvendoseshin të gjithë bashkë si grup në një vend tjetër. Pas një kërkimi të gjatë u gjet Shqipëria, ku edhe u vendos grupi i parë e tani ndoshta edhe të tjetër do pasojnë.
Po pse pikërisht Shqipëria? Mund të pyesësh, pse nuk i merr SHBA ata vetë në vend, apo vende të tjera europiane?
Besoj se nuk do ishte e lehtë për amerikanët të gjenin një vend që do të pranonte njëherësh një grup prej disa mijëra vetësh, aleatë të dikurshëm të amerikanëve. Nuk besoj se do ta kishin këtë gatishmëri Gjermania, Franca, Suedia apo vende të tjera, kjo sepse prania e muxhahedinëve në këtë numër, në një territor, le të themi në Britaninë e Madhe, Francë apo Gjermani do të sillte komplikime të marrëdhënieve të këtyre vendeve me Iranin. Për të shmangur komplikime të tilla u vendos për një vend që ka lidhje me Amerikën, si Shqipëria, e nga ana tjetër lidhja me Iranin nuk është e një rëndësie të veçantë, sa qeveria shqiptare të trembej se prania e këtyre njerëzve do të prishte marrëdhëniet.
Ndoshta kjo lidhet edhe me historinë e muxhahedinëve, fillimisht luftëtarë kundër regjimit të Shahut, pastaj bashkëpunëtorë të Sadam Huseinit, organizatë terroriste, pastaj aleatë të amerikanëve. Çfarë është kjo organizatë nga këndvështrimi perëndimor sot? Opozitë legjitime? Organizatë me të shkuar të errët? Organizatë e dështuar, për të cilët amerikanët tani duhet të gjejnë një strehë?
Mund të thuhet një organizatë e dështuar. Ajo shihet si një sekt, sepse pas përvojave që iranianët kanë pasur, ata nuk kanë ndonjë shans të zenë vend vërtet në peizazhin politik iranian. Edhe jashtë në ekzil nuk ka ndonjë mbështetje të madhe tek iranianët për shkak se ata nuk janë myslimanë, thënë ndryshe janë myslimanë, por jo tamam myslimanë, thonë që janë demokratë po as demokratë nuk janë. Është një organizatë e organizuar në mënyrë shumë strikte, gati si një organizatë e vjetër komuniste, me hirearki nga lart-poshtë. Anëtarët e saj ndërkohë janë të moshuar, kapitali i vetëm i tyre është të kujtojnë gjithmonë se sa sakrifica kanë bërë ata gjatë kohës së Revolucionit. Por diçka ju ka mbetur, ata kanë si organizatë lidhje me politikanë në perëndim, senatorë në Amerikë p.sh. Disa vëzhgues thonë se ata kanë lidhje edhe me shërbimet sekrete në rajon.
SHBA dhe Britania e Madhe i kanë hequr muxhahedinët nga lista e organizatave terroriste, si e shohin vende të tjera këtë organizatë?
Shihet ndryshe. Gjermania nuk e ka futur këtë organizatë në një listë të tillë, ka vende që e kanë pasur në listën e organizatave terroriste. Ndërkohë tani kjo organizatë ka hequr dorë nga përdorimi i armëve për luftën e saj. Vetë muxhahedinët thonë, ne jemi demokratë, nuk duam të luftojmë më me armë. Por duhet kujtuar se ata si në kohën e Shahut ashtu edhe të Republikës Islamike janë përgjegjës për shumë atentate, vrasje politike, madje brenda vetë organizatës. Pas pak a shumë një kthese brenda tyre, ata kanë kuptuar se koha e atentateve politike dhe terroriste ka marrë fund. Sot ata duan luftë politike jo të armatosur.
Mundet që Shqipëria me pranimin e një numri kaq të madh të krijojë një rrezik potencial në të ardhmen për sigurinë?
Nuk besoj, sepse së pari këta njerëz që vijnë në Shqipëri janë shumica rreth 60 vjeçarë, si të rinj ata kanë shkuar në Irak, por sot kanë kaluar rreth 30 vjet nga kjo kohë. Pra fizikisht nuk besoj se ata munden. Së dyti ata kanë deklaruar se kanë hequr dorë nga lufta e armatosur, e treta Shqipëria nuk është për ta një vend interesant për aktivitetin politik të tyre. Në Gjermani për shembull ata do të përpiqeshin të përhapnin mes iranianëve propagandën e tyre. Mendoj se në Shqipëri ata do të shtyjnë jetën pa bërë ndonjë gjë të madhe.
Aktualissht ai grup që jeton në Shqipëri nuk bie në sy. Po sa gjasa ka që ata ta ndjekin axhendën e tyre politike edhe në Shqipëri, pra rrëzimin e regjimit iranian që mund të kthehet më vonë në një problem?
Natyrisht ata e ndjekin axhendën e tyre të rrëzimit të qeverisë iraniane. Por me mjetet që kanë. Ata kanë mbështetje financiare, nuk dihet nga i kanë ata burimet financiare kur nuk kanë shumë mbështetës mes azilantëve apo në Iran, por edhe me disa lidhje familjare ata kanë mbështetje edhe brenda deputetëve në disa parlamente europiane, madje ka deputetë edhe në Parlamentin Europian që i mbështesin. Kështu ata kanë mundësinë e propagandës duke e quajtur veten organizata e vetme opozitare kundër regjimit iranian. Ata ndoshta do të përpiqen që nga Shqipëria për të influencuar persona të caktuar, apo për ta mbajtur gjallë propagadën e tyre.
A ka gjasa që ata të bëhen objekt sulmesh edhe në Shqipëri nga Irani?
Në të shkuarën Irani është përpjekur jashtë të kryejë vrasje politike të opozitarëve. Ka shembuj që shërbimi sekret iranian ka qenë aktiv në Europë. Ka një kohë të caktuar që Irani e ka lënë këtë axhendë, prej 10 vjetësh gati nuk ka vrasje të opozitarëve në botën europiane nga shërbimi sekret. Edhe në të ardhmen nuk e besoj se do ta bëjnë këtë, sepse kjo do t’i zemëronte amerikanët, dhe regjimi iranian ka nevojë për amerikanët si për luftën kundër të ashtuquajturit “Shteti Islamik” në rajon, ashtu edhe për zbatimin e marrëveshjes atomike. Nga ana strategjike Shqipëria nuk është me rëndësi për Republikën Islamike të Iranit.
Ka zëra kritikë që thonë, se Shqipëria duhet të ketë kujdes se me kaq shumë muxhahedinë sjell me gjasa edhe terrorin në Europë? Sa real është ky rrezik?
Nuk besoj se ka një rrezik të tillë terrori prej tyre drej Europës. Muxhahedinët vetë kanë hequr dorë nga aktet terroriste në Iran ashtu edhe në Europë. Por sigurisht bazën e re në Shqipëri, internetin ata do ta përdorin për qëllimet e tyre propagandistike.
(DeutscheWelle)