Banorët e Shën Vlashit dhe Vrinit ankohen prej vitesh për ndotjen që shkakton pularia e vendosur në rrëzë të kodrës. Plehu mbyt shtëpitë me erë të keqe, situatë që rëndohet gjatë periudhës së thatë të vitit. Autoritetet vendore pohojnë shqetësimin, por shkarkojnë përgjegjësinë te njëri-tjetri

Ndotja e mjedisit nga mbeturinat e prodhuara në stabilimentin e pulave në Shën Vlash ka shkaktuar reagime të forta nga banorët. Me rritjen e temperaturave në pranverë dhe deri në të hyrë të dimrit, kohë që temperaturat zbresin ndjeshëm, banorë dhe qytetarë të ndryshëm detyrohen të qëndrojnë nën kundërmimin e rëndë të plehut të pulave.

Fenomeni nuk është as i ri dhe as i panjohur për komunitetin që rrethon kodrën e fshatit Vrin por edhe për qeverisjen vendore në Rrashbull e Durrës. Krerët e komunës dhe të bashkisë të prekur nga ndotja e mjedisit nuk kanë bërë asnjë hap për të parandaluar hedhjen e plehut pranë qendrave të banuara. Nga ana tjetër të gjitha ankesat e protestat e banorëve kanë rënë në vesh të shurdhër duke mos u dhënë atyre asnjë mundësi për të zgjidhur hallin e madh që i mundon për më shumë se 6 muaj të vitit.

Pularia FLORYHEN gjendet në afërsi të tregut të makinave dhe në anë të autostradës Tiranë-Durrës, poshtë manastirit të Shën Vlashit. Një tjetër pulari e quajtur AIBA është vendosur ngjitur me apartamentet e banimit në të hyrë të lagjes numër 14, e njohur si lagje e Shkozetit, dikur qendra më e madhe industriale në Durrës. Asnjëra nga kompanitë nuk e ka marrë këtë përgjegjësi në këto 7-8 apo më shumë vite shqetësim, ndërsa banorët thonë se janë pikërisht ata që ndotin vendin.

Ndotja

Ndotja e mjedisit nga pularitë është në përmasa të pabesuara. Tani në këtë pranverë të parë kanë nisur të rriten temperaturat dhe së bashku me të, të rikthehet ankthi i banorëve në Shën Vlash, Vrin, Sektorin Rinia, Shkozet, Kënetë dhe të lagjeve të tjera të vogla e të mëdha. E njëjta gjë, të njëjtët përgjegjës të ndotjes, të njëjtat reagime nga palët në konflikt vit pas viti. Banorët ankohu dhe shtetarët heshtin. Çështja e ndotjes, e cila sillet në forma e variante të ndryshme, ka nisur së paku 7-8 vite më parë.

Makinat e kompanive të komplekseve të pularive nga Durrësi apo zona të tjera shkarkonin plehun nga kamioni në buzë të kanaleve, në kanal apo edhe disa metra në brendësi të arave. Kjo ngriti në këmbë banorët në zonat e ndotura nga plehu i pulave, pleh me erë të keqe e të rëndë dhe me probleme të ndotjes së ajrit në një gjerësi e sipërfaqe shumë të madhe.

Në raste të tilla kompanitë, shkaktaret e ndotjes masive të tokave, kanaleve, arave, livadheve dhe të ndotjes së qindra e qindra banesave, justifikoheshin duke thënë se përgjegjës të situatës janë drejtuesit e kamionëve, pasi ata nuk e dërgonin në vendin e grumbullimit dhe dekompozimit. Por kjo gjendje përsëritej duke shtuar edhe më tej hartën e vendeve të infektuara nga ndotja e madhe. Plehu me erë më të keqe, më të rëndë se ai i amoniakut, dekompozohet në natyrë.

Rruga e tokat përgjatë autostradës Tiranë-Durrës( nga mbikalimi në Xhafzotaj deri në afërsi të Urës së Dajlanit), segmenti: mbikalimi Shkozetit-tregu makinave-Shën Vlash-sektor Rinia, rruga Shën Vlash-Spitallë (deri tek rotondo që kryqëzon këtë segment me atë që ka destinacion portin e ri në Porto Romano) janë më të ekspozuarit nga fenomeni.

Qindra metër linear kanale janë bllokuar dhe nuk kryejnë funksionin e kullimit ndër vite vetëm pse në to është hedhur plehu. Po ashtu është gjendja edhe në anë të gardheve, avllive, buzë mureve rrethues në dhjetëra e dhjetëra vende. Era e keqe ndihet therëse jo vetëm për bizneset, lokalet e shërbimit apo shtëpitë që gjenden në lagjet e mësipërme.

Kalimtarët që përshkojnë autostradën sapo afrohen tek Floryheni pranë mbikalimit të Vrinit ndihen keq, nisin e kolliten, mbulojnë gojën me se të munden, përgatisin farcoleta e shami për të bllokuar rrugët e frymëmarrjes. Plehu, siç del nga stabilimentet e pulave, shkarkohen në tokë bujqësore, tokë djerrë apo në rrugë e kanale.

Kompania është justifikuar disa herë para banorëve të zonës se rastet e depozitimit të plehut në tokat bujqësore nuk është material i hedhur, por i blerë për plehërim të tokës nga banorët. Ndonëse një pohim i tillë ka ndeshur në kundërshti të madhe, asgjë nuk ka ndryshuar. Sipas vetë banorëve, ka disa familje që kërkojnë plehun e pulës për tokat e tyre.

Në raste të tilla, më së shumti porositësit nuk banojnë pranë arave dhe as në fshat. Një gjë e tillë e bën këtë kategori më pak të ndërgjegjshme për ndotjen që shkakton dhe sidomos për erën e paduruar që përhapet në të gjithë zonën. Sipas pohimeve të banorëve të zonës, më shumë se 15-20 mijë qytetarë janë të detyruar të jetojnë në një mjedis tejet të ndotur.

Protesta

Nuk kanë pasur të pushuar protestat në këto anë. Herë të organizuar dhe herë në grupe të vogla. Banorët janë ndier keq dhe në asnjë rast nuk janë marrë në mbrojtje. Shumëkush nuk e di se ç’ndodh realisht me banorët të cilët jetojnë më shumë se gjysmën e vitit nën presionin e erës së rëndë të plehut.

Vendasit herë pas here shesin shtëpitë duke kërkuar një apartament tjetër për t’i shpëtuar detyrimit për të ndenjur nën kërmën e pularive. Në vendin e tyre vijnë “viktima” të cilët nuk e dinë se me të nisur ngrohja e motit, situata keqësohet dhe bëhet e paduruar. Më të ndëshkuarit në raste të tilla janë banorët e rinj që vinë për të jetuar në këtë fshat dhe që ngecin për të mos mundur më të bëjnë një lëvizje të dytë.

Familjet, shtëpitë e të cilëve shohin nga ana e qytetit të Durrësit dhe që janë rrëzë kodrës së Shën Vlashit apo në faqen e saj, kanë marrë disa nisma për të denoncuar rastin në fjalë. Ata madje kanë shkuar deri atje sa janë përplasur me drejtuesit e kamionëve të ngarkuar me pleh pulash duke vënë në përdorim forcën.

Edhe familjet e shpërngulura nga përmbytja e liqenit të Fierzës në veri të vendit kanë organizuar disa protesta të tilla. 350 familje që janë vendosur në sektorin “Rinia” të komunës së Katundit të Ri në Durrës janë gjendur përballë këtij realiteti dhe kanë bërë ankesa të pafund në komunë, prefekturë dhe qarkun e Durrësit por askush nuk ua ka vënë veshin.

Shtëpitë dhe lokalet pranë kompleksit të pularisë janë më të ekspozuara ndaj ndotjes së madhe dhe pas tyre Shën Vlashi, Vrini, lagjja “Proçka”, lagjja “Mirëdita”, sektori "Rinia", një pjesë e Shkozetit dhe dy skolinat e banuara të Kënetës që kufizohen me Shën Vlashin. Secila prej familjeve në fjalë ka marrë nga 300 metra katrore tokë truall për ndërtimin e shtëpive dhe sipërfaqe të njëjtë toke me atë që kanë patur në fshatrat e përmbytur.

Përveç këtyre përfitimeve, çdo familje ka përfituar edhe rreth 2000 m2 tokë në bazë të vendimit të qeverisë në korrik 2000. Por përballja me ndotjen nga plehu pulave ua ka vështirësuar shumë cilësinë e jetës. Krejt e paduruar është era e keqe për bebet, fëmijët, të sëmurët, gratë shtatzëna dhe persona që vuajnë nga sëmundje të ndryshme.

Vetëgjyqësia

Përdorimi forcës ndaj drejtuesve të kamionëve që hedhin plehun në kanale e ara natën ka bërë që zona të nisë të pastrohet vit pas viti. Fshati tani bën roje. Ata njohin kamionët e pularisë dhe sapo shfaqen në rrugët e tyre apo në ndonjë ndalesë, grumbullohen për ta detyruar shoferin të vijojë udhëtimin.

Përplasjet kanë qenë deri edhe të ashpra në kohën që kamionët janë përpunuar në fshehtësi dhe janë diktuar më pas nga banorët. Historia përsëritet, ndonëse me më pak dhunë, pasi shoferët janë larguar nga veprimet për të hedhur plehun në kanalet dhe tokat pranë shtëpive. Tani kompanitë kanë zgjedhur një rrugë tjetër, atë të depozitimit të plehut tek vaskat e peshkimit.

Toka këtu është pa zot por ndotja ka të njëjtin efekt dhe pasoja, pasi vaskat e peshkimit ku hidhet plehu, nuk janë më shume se 250 m larg nga zona e banuar.

BASHKIA E DURRËSIT

Ndotja arrin në qytet, po hetojmë për fajtorët

Kryetari i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, ka thënë se nuk ka asnjë dijeni që në territorin e njësisë që ai mbulon të ketë raste të hedhjes së plehut të pulave. Ai ka pranuar se jo vetëm zona pranë pularive, por edhe qyteti e ndien erën e keqe, edhe pse pularitë janë diku rreth 4-5 km larg. “Në ditë me erë qyteti mbytet e qelbet nga era e rëndë e plehut që vjen nga kodra e Vrinit dhe Shën Vlashi”,-pohon Dako. Madje mësohet se një çështje e tillë është shtruar për diskutim edhe më gjera sesa në tryeza lokale duke bërë të ditur se ka vënë në dijeni prefekturën dhe qarkun e Durrësit. “As njëri e as tjetri nuk kanë ndërhyrë për të disiplinuar këtë fenomen të përsëritur”,-ka vijuar kryetari i bashkisë së Durrësit. Dako thekson se nuk ka ndonjë informacion të saktë, të detajuar dhe bindës për të fajësuar palën që ka përgjegjësi. Por nga ana tjetër pohon se ndotja mjedisore është shumë shqetësuese edhe në qytet. Këto ditë, ka bërë të ditur Dako, do të ngrihet një grup pune, kryesisht nga ndërmarrja e gjelbërimit dhe e pastrimit, për të vëzhguar dhe raportuar për gjendjen e ndotjes në njësinë e territorit që mbulon bashkia e Durrësit. Por bashkia do të duhet që në mënyrë paralele të investigojë dhe të denoncojë rastet e hedhjes së mbeturinave urbane apo inerte përgjatë rrugës Spitallë-Shën Vlash. Edhe për këtë rast Dako pohon se nuk ka dijeni, ndërkohë që ka shtuar se ndërmarrja komunale dhe e gjelbërimit do të përpilojë në një kohë shumë të shkurtër raportin nga terreni.

KOMUNA RRASHBULL

Toka e ndotur nuk është në territorin tonë

“Nuk është në territorin tonë sipërfaqja e tokës ku shkarkohen kamionët me plehun e pulave”,-ka thënë Hysen Gashi, kryetar i komunës së Rrashbullit. Shën Vlashi e Vrrini, që së bashku kanë popullsi rreth 18 mijë banorë, janë nën administrimin e kësaj komune. Edhe pularia është në atë territor, ndërsa plehu hidhet gjithandej. Gashi ka thënë se në të gjithë zonën ndihet era e keqe e pularisë, ndërsa pranon që komuniteti i komunës së tij në këtë zonë ka protestuar disa herë për këtë ndotje të madhe. Gjatë pohimeve të tij mësohet se banorët e fshatit të madh në Shën Vlash dhe në lagje të tjera pranë rrugës nacionale dhe dytësore për në sektorin “Rinia” kanë shfaqur pakënaqësi disa herë për hedhjen e plehut nga pularitë në anë të rrugës dhe të tokave bujqësore. “I përket bashkisë së Durrësit të ndërhyjë pasi është në territorin e saj”,-është justifikuar Gashi. E gjithë zona e ndotur është nën juridiksionin e komunës së Xhafzotajt, por Gashi pohon se materiali ndotës nuk hidhet në kufijtë e tokës së komunës. Duket se kompania e prodhimit të vezëve e ka marrë shumë në konsiderate një fakt të tillë. Pularitë e lëshojnë në fshehtësi materialin ndotës herë në tokën e komunës së Xhafzotajt dhe herë në atë të bashkisë së Durrësit (në pjesën skajore të bashkisë e cila është larg nga vëzhgimi e kontrolli) dhe herë në territorin e komunës Katundi i Ri. Komuna e Rrashbullit ka deklaruar se nuk ka bërë ndonjë kallëzim, denoncim, protestë apo shkresë zyrtare për këtë çështje. Gashi, ka disa mandate të njëpasnjëshme si kryetar komune por këtë çështje ai nuk e ka marrë përsipër për të zgjidhur asnjëherë. “Banorët të ankohen atje ku duhet. Këtë ua kam thënë të gjithë atyre që janë ndier keq për shkak të përhapjes së erës së plehut të pulave.”,-pohon ai.

AGJENCIA E MJEDISIT

Floryhen nuk ka impiant për plehun

Kreu i agjencisë rajonale të mjedisit në Durrës, Ramazan Kalia, ka bërë të ditur se një nga kompanitë e stabilimentit të pulave ka impiant të përpunimit të mbeturinave të pularisë, kurse tjetra nuk e ka këtë impiant. “Floryheni është gjobitur vetëm për shkak të ndotjes së madhe që shkakton nga mospërpunimi plehut të pulave”,-ka thënë Kalia. Kompanitë, sipas agjencisë së mjedisit, kanë lejen e mjedisit dhe palët kanë nënshkruar kontratë të rregullt për vëzhgimin e zbatimit të lejes së fituar. Kreu i agjencisë ka theksuar se AIBA, e vendosur në hyrje të lagjes së Shkozetit, ka montuar impiant për të përpunuar plehrat dhe teknologjia është cilësore. “Ndërsa me AIBA-n çështja është plotësisht e zgjidhur, me Floryhenin kemi pasur probleme në këtë drejtim”,-bën të ditur Kalia. Gjithnjë mbështetur në deklarimet e tij, kompania në fjalë, e cila është gjobitur së fundi me 50 mijë lekë vetëm për shkak të ndotjes së shkaktuar nga plehu i hedhur në anë të rrugëve dhe parcelave, ka nënshkruar kontratë me një firmë për të transportuar plehun. AIBA e paketon në qese plehun pas përpunimit dhe, për agjencinë, kompania është e rregullt. Kalia ka pohuar se ka marrë disa sinjale lidhur me rifillimin e ndotjes së mjediseve publike nga plehu i pularive, ndërkohë që ka shtuar se do të investigohet situata. Njëherësh, agjencia rajonale e mjedisit ka pohuar se bashkia e Durrësit nuk ka përcaktuar ende vendin e hedhjes së mbeturinave inerte, duke shkaktuar ndotjen si në rastin e kanaleve të thellë në segmentin Spitallë-Shën Vlash dhe në segmentin tjetër tregu i makinave-Shën Vlash. Deri me datë 10 prill, inspektorët e agjencisë do të dalin me një material konkret lidhur me zbatimin e ligjit për menaxhimin e mbetjeve urbane dhe inerte nga qeverisja lokale. Kalia ka thënë se ndëshkimet për çdo rast do të bien mbi krerët e bashkive dhe komunave, ndërsa nuk përjashton edhe ndjekje penale për ta, nëse nuk do të garantojnë menaxhimin e plotë të mbetjeve dhe ujërave të zeza në vijën bregdetare.