Në burgun e Spaçit po kryhen punime që synojnë konservimin dhe restaurimin e ndërtesave ekzistuese, si një nga burgjet më të egra të regjimit komunist në vendin tonë. Por sipas ekspertët këto restaurime po cenojnë identitetin e objekteve. Aktivistët përmes njoftimeve në rrjetet sociale kanë bërë thirrje për reagim qytetar në lidhje me rikonstruksionin që po kryhet në ish-Burgun e Spaçit, nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore (IKTK).
Sipas dy aktivisteve dhe eksperteve, Sidorela Vatnikaj dhe Eltjana Shkreli, projekti po shkatërron dhe po humbet vlerat e memories së Burgut të Spaçit, një ish-institucion i vuajtjes së dënimit gjatë komunizmit dhe i kthyer në muze një vit më parë.
Në postimin e saj, Vatnikaj është shprehur se nuk bëhet fjalë për një restaurim jo të mirë, por për një përpjekje për të fshirë historinë, duke e transformuar fasadën dhe brendësinë e ndërtesave historike.
Ndërsa të tjerë ekspertë apeluan për një ndërhyrje e cila ruan identitetin e ndërtesave ekzistuese, duke shfaqur gjurmët e ish-të burgosurve përgjatë diktaturës në këtë mjedis që konsiderohej si nga më të rreptit, i ngritur në thellësi të zonës së Mirditës, në fshatin Kodër-Spaç.