Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç është përplasur me kryeministrin e sapozgjedhur të Hungarisë, Peter Magyar, pas një deklarate të bërë nga ky i fundit se lideri rus Vladimir Putin “tërheq fijet” edhe në Serbi.

Magyar nënkuptoi se Putin ishte “kumbari” pas miqësive mes ish kryeministrit hungarez, Viktor Orban, që humbi zgjedhjet, kryeministrit sllovak Robert Fico si dhe Vuçiçit.

Duke folur për televizionin shtetëror serb, Vuçiç e sfidoi Magyar që ta thoshte emrin e Putinit, jo me nënkuptim. Ai e cilësoi deklaratën si të papërgjegjshme, ndërsa shtoi se nuk dëshiron të dëmtojë marrëdhëniet me Hungarinë.

“E di saktësisht çfarë po ndodh në Serbi dhe gjithashtu e di çfarë lloj lidhjesh ekzistojnë mes qeverisë së Orbán dhe Serbisë së drejtuar nga Vuçiç, si dhe mes Robert Fico dhe Viktor Orbán. Po ashtu, e di përafërsisht se kush qëndron pas tyre, kush është ‘kumbar’ i këtyre miqësive të mëdha,” deklaroi Magyar në një konferencë për shtyp.

Në përgjigje të kësaj deklarate, presidenti serb tha:

“Ai tha se e di kush qëndron pas marrëdhënieve mes Orbán, Fico dhe Vuçiç. Po e pyes: kush është? Hajde, le ta thotë. Ai nuk ka asnjë ide… duke lënë të kuptohet se mund të jetë Putini. Nëse nuk do të shqetësohesha për marrëdhëniet me hungarezët në vendin tonë dhe me vetë Hungarinë, do ta quaja deklaratën e tij të pamenduar dhe të papërgjegjshme,” tha Vuçiç.

Në të njëjtën konferencë për shtyp, Magyar foli për zbulimin e eksplozivëve pranë tubacionit të gazit TurkStream në Serbi, afër kufirit hungarez, duke e quajtur atë një operacion të dukshëm me flamur të rremë.

“Gjatë fushatës zgjedhore, pati një operacion që dukej si një sulm me flamur të rremë të dielën e Pashkëve. Qeveria ime e ardhshme do të hetojë saktësisht se çfarë ndodhi dhe nëse rreziku ishte real”, tha Magyar, ndërsa vuri në dukje se nuk përjashtoi që ai përbënte një kërcënim të vërtetë.

Vuçiç tha se hetimi do të përfundonte dhe gjetjet e tij do të ndahen me Magyarin.

“Këto gjetje do të tregojnë se ai gabohej që u besonte thashethemeve të mediave tabloide”, tha Vuçiç.