Vajza minorene, e cila në ambjentet e një lokali në Korçë, ka goditur me gotë një 18-vjeçare, duke i shkaktuar dëmtime të lehta në trup është marrë e pandehur. Bëhet me dije se Prokuroria e Korçës ka vendosur të mbyll hetimet ndaj të miturës me inicialet F.D dhe ka marë të pandehur atë për akuzën e “Plagosjes së lehtë me dashje”.

Sipas dosjes së prokurorisë së Korçës, 17-vjeçaria F.D., e ka goditur në mënyrë të paprovokuar dhe pa asnjë shkëmbim provokimi, 18-vjeçaren P.M., e cila ndodhej në të njëjtin lokal ku ishte e pranishme dhe e pandehura. Goditja është realizuar me gotën e ujit, duke i sjellë dëmtime të lehta 18-vjeçares P.M.

“E pandehura F.D., 17 vjeçe, ka goditur në mënyrë të paprovokuar dhe pa asnjë shkëmbim komunikimi ne momentin e goditjes, shtetasen P.M. 18 vjeçe, me një gotë qelqi nga distanca, duke i shkaktuar plagosje të lehtë. Më pas, e dyshuara ka tentuar ta godasë për herë të dytë me një gotë tjetër dhe është larguar menjëherë nga vendngjarja”, thuhet në dosjen e prokurorisë.