Ligji për shmangien e qeseve plastike njëpërdorimshme hyri në fuqi një vit më parë, por përdorimi i tyre jashtë rregullave vazhdon ende.

Këtë të martë, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj dhe Ministrja e Turizmit dhe e Mjedisit Mirela Kumbaro zhvilluan një takim me përfaqësues të institucioneve përgjegjëse për ndalimin e përdorimit të qeseve plastike në vend.

Në njoftimin për shtyp të Ministrisë së Ekonomisë, thuhet se palët diskutuan mbi rikoordinimin e punës sensibilizuese dhe zbatimit të përgjegjësive të secilit institucion për vijimin e kontrolleve në terren për ndalimin e përdorimit dhe tregtimit të qeseve plastike, si dhe të marrjes së masave të parashikuara ligjore në rastet kur konstatohet mos zbatimit i ligjit.Ibrahimaj kërkoi që institucionet përgjegjëse të angazhohen seriozisht gjatë periudhës në vijim në përcaktimin e planeve të punës dhe kontrolleve në terren, në mënyrë që të përmbushin detyrimet e tyre ligjore për ndalimin e përdorimit, tregtimit dhe hyrjes në vendin tonë të qeseve plastike.

Kumbaro, nga ana tjetër, theksoi rëndësinë e vijimit të punës dhe kontrolleve në terren, në mënyrë që të mos lejohen abuzimet dhe të zbatohen detyrimet ligjore sa i përket ndalimit të përdorimit të qeseve plastike.

Urdhri i Kryeministrit parashikon disa përgjegjësi dhe detyrime të një sërë institucioneve, si Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Inspektoriati Shtetëror i Mbikqyrjes së Tregut, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, apo edhe njësitë e vetëqeverisje vendore përmes policisë bashkiake, për ndalimin e përdorimit, hedhjes në treg, prodhimit, importimit apo futjes në vend të qeseve plastike mbajtëse si dhe të qeseve plastike mbajtëse të oxo-degradueshme dhe oxo-biodegradueshme.