Qytetet ukrainase përjetuan qetësi relative pas hyrjes në fuqi të armëpushimit treditor të shpallur nga Rusia. Megjithatë, autoritetet ukrainase raportuan dy sulme me bomba të telekomanduara në rajonin e Sumi-t, pa viktima.
Armëpushimi u shpall nga Kremlini në kuadër të 80-vjetorit të fitores ndaj Gjermanisë naziste dhe në prag të festimeve të 9 majit në Moskë. Në paradën e Sheshit të Kuq pritet të marrin pjesë edhe liderë të huaj si presidenti kinez Xi Jinping, kryeministri sllovak Robert Fico dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiç.
Ukraina e refuzoi zyrtarisht armëpushimin, duke e cilësuar atë si një manovër propagandistike. Presidenti Volodymyr Zelensky deklaroi se gjatë natës vendi u godit nga sulme me raketa dhe mbi 140 dronë kamikazë, duke shkaktuar viktima dhe të plagosur.
Kievi mbetet i angazhuar për një armëpushim 30-ditor sipas propozimit amerikan, ndërsa SHBA-të po përpiqen të rikthejnë palët në tryezën e negociatave.