Një urim shumë i thjeshtë, por mjaft domethënës, i varur në një nga rrugët kryesore të Durrësit. Një urim publik për ditëlindjen e njeriut të shtrenjtë. Kjo ishte mënyra që kishte zgjedhur një i ri durrsak për t’i përcjellë urimin të dashurës së tij. Durrsakët janë zgjuar mëngjesin e së martës me një surprizë të këndshme.

Shumë kalimtarë apo drejtues automjetesh që nxitonin për në punë nuk kishin se si të mos shihnin urimin e formuar nga tullumbace shumëngjyrësh të ekspozuar në rrugën tregtare, shumë pranë bashkisë së qytetit. Një zemër e kuqe që shoqëronte urimin “Gëzuar ditëlindjen” të linte të kuptoje se ishte një dedikim special dhe mjaft i veçantë për një person të shtrenjtë. Qindra tullumbace ishin përdorur për të shkruar këtë urim sa të thjeshtë aq dhe domethënës.

Mesa duket “surpriza” për vajzën është vendosur gjatë natës, pasi vetëm në mëngjes ajo është vënë re nga kalimtarët e shumtë. Edhe pronarët e bizneseve që ushtrojnë aktivitetin në këtë rrugë nuk dinin të thonin se kush mund të ishte personi që kishte vendosur urimin, por gjithsesi të gjithë ishin të mendimit se kujtdo do t’i pëlqente të merrte për ditëlindje një surprizë kaq interesante. Një gjë mund të thuhej me siguri se ajo së cilës i është dedikuar urimi duhet të jetë ndjerë shumë e dashuruar.

Pak ziliqare ndoshta janë ndjerë femrat e tjera që kanë pasur ditëlindjen në po të njëjtën ditë e që ndoshta do kishin dëshiruar të kishin marrë një urim të ngjashëm. Meqë rruga tregtare është një nga rrugët kryesore që përshkojnë çdo ditë nxënësit e gjimnazit “Gjergj Kastrioti” mendohet se ndoshta urimi shumëngjyrësh do të jetë realizuar nga ndonjë gjimnazist. Gjithsesi kjo mënyrë shprehje dashurie dhe urimi në të njëjtën kohë duket se po kthehet në traditë në qytetin e Durrësit.

Edhe kohë më parë, është përdorur një mënyrë pak a shumë e ngjashme për t’i dedikuar një urim special personit të zemrës. Kështu në harkun kohor të gjashtë muajve, tullumbacë shumëngjyrësh me urimin “Gëzuar ditëlindjen” janë shfaqur pranë pallatit të kulturës apo pranë Urës së Dajlanit.