Kur kanë kaluar mëse tre javë nga përfundimi i afatit të lënë qiramarrësve për lirimin e shtëpive të ish pronarëve, shumë familje të strehuara prej vitesh në këto shtëpi qëndrojnë në ankth për fatin e tyre të mëtejshëm. Në të gjithë Durrësin janë rreth 900 familje që pritet të lirojnë shtëpitë e ish pronarëve, por ndërkohë vetëm një numër mjaft i vogël prej tyre ka aplikuar për të marrë kredi të butë pranë Bankës Kombëtare Tregtare.

Një pjesë e mirë e këtyre familjeve përveç faktit që strehohen në shtëpi, pjesa emë e madhe e të cilave thuajse të amortizuara, tashmë u duhet të përballen me frikën për të ardhmen, kur mund të mbeten pa strehë mbi kokë. Disa nga shtëpitë e ish pronarëve që janë në gjendje më të keqe dhe rrezikojnë edhe shëmbjen janë ato që shtrihen në të dy anët e rrugës tregtare, në rrugicat e ngushta të kësaj lagjeje të vjetër të qytetit.

Kur po ecja kalldrëmeve të kësaj lagjeje, për të shkuar në shtëpinë ku do intervistoja disa qiramarrës ndër mend më vinin filmat shqiptarë, ku partizanët fitimtarë nxirrnin nga shtëpitë e tyre tregtarët e qytetit, u konfiskonin pasurinë, madje dhe i burgosnin shumë prej tyre. Tashmë situata përsëritet sërish, por në anën e kundërt. Banorët që u strehuan shumë vite më parë në këto shtëpi, duhet të largohen, për t’ua rikthyer trashëgimtarëve të pronarëve të dikurshëm.

Ndërsa po nxitoja të takoja pensionistin Rexhep Alushi dhe bashkëshorten e tij, ata më njoftuan se kishin shkuar tek një i afërm sepse u pikonte shtëpia. Gjithsesi përderisa isha para banesës së tyre hyra brenda. E hapa portën jeshile të oborrit të banesës katër katëshe, portë e cila aty kish qenë kur partizanët e plaçkitën banesën, kur erdhën banorët e rinj dhe po aty vazhdon të jetë kur këta të fundit jetojnë me frikën se ç’do t’u sjellë e nesërmja. Porta jeshile është dëshmitare e të gjitha ngjarjeve dhe jetëve të kësaj shtëpie.

Tani në portë çdo ditë po trokasin pasardhësit e ish pronarëve që njëherë e një kohë u përzunë nga shtëpitë e tyre. Ngjita një palë shkallë të rrënuara dhe në katin e dytë syri të sheh një sheshpushim të madh, brenda të cilit krijoheshin pellgje me ujë prej shiut që depërtonte nga lartësia e  dy kateve të sipërm. Në pragun e derës kolona ishte duke u shembur e një curril uji derdhej brenda. Nga dera e parë e katit të dytë, e lyer në të bardhë dëgjoheshin zëra njerëzish.

Realiteti i qiramarrësve

Trokas në njërën derë dhe një grua me syze, e cila quhet Rudina, shfaqet në prag. Ndërsa i shpjegoj se kush jam dhe për çfarë kam shkuar aty korridori i përbashkët i të gjitha apartamenteve të banesës mbushet plot me gra, të shoqëruara nga fëmijë të vegjël, që nisin të tregojnë hallet e tyre duke ndërprerë njëra tjetrën.

Mëngjesin e kësaj dite me shi, në dyert e tyre kishin trokitur ish pronarët, të cilët u kanë lanë afat familjeve deri në fund të nëntorit të mbledhin plaçkat e të ikin. Nëse nuk do të largohen vetë, do t’i nxjerrë policia, sepse qeveria e ka thënë fjalën e saj të fundit me aktin normativ. Edhe në Gjykatën Kushtetuese e humbën betejën, megjithëse u ka mbetur një shpresë e vogël për vendimin e Gjykatës së Strasburgut.

Ndërsa rrëfen për këto Rudina më tregon se brenda mureve të kalbura të kësaj banese jetojnë 7 familje durrsake. Ajo vetë është kryefamiljare dhe kujdeset për tre vajzat e saj që i ka në shkollë. Vetë punon banakiere, por nuk është e siguruar. Ndërsa tregon për jetën e saj sytë i mbushen me lot dhe shprehet e bindur se vetëm e vdekur do të dalë nga kjo shtëpi.

“Gjallë jo, por vetëm e vdekur do të dal prej këtej. Pronarët e shtëpisë na erdhën që në mëngjes, na thanë të dalim urgjent. Na dhanë afat deri në 30 nëntor. Në 1 dhjetor e duan godinën të lirë! Po ku të shkoj? Nuk dal jo, se kam tre vajza dhe nuk kam ku të rri. Kam 25 vjet këtu dhe duan të na nxjerrin në rrugë neve, katër femrave. Nuk di kujt t’i drejtohem tjetër”,- thotë ajo.

Ndërsa më thotë këto fjalë më fut në shtëpinë e saj, shtëpi i thënçin, sepse është vetëm një dhomë ku ajo jeton së bashku me vajzat. Banesa pikon gjithandej.

“Shikoje, edhe këtu, në këtë të vetme dhomë ku rrimë, ku flemë e jetojmë, duan të na përzënë! Unë nuk iki jo, se nuk kam ku të shkoj! Kam shkuar tek Enti i Banesave e më thanë që nuk mund të marr as kredi sepse jam e pasiguruar dhe marr vetëm 200 mijë lekë të vjetra në muaj. Me se do ta laj kredinë unë?”,- thotë ajo, ndërsa më tregon vajzat e saj që në një cep të dhomës bëjnë detyrat për të nesërmen në shkollë.

Të njëjtin shqetësim ngre dhe një banore tjetër, Merita Cimboku, një grua në prag të pensionit.

“Shiko se ç’po na bëjnë. Sot që në mëngjes erdhi pronari. Ditë për ditë po vijnë pronarët e shtëpisë e po na trokasin në dyer. Me presione e me shantazhe na kërcënojnë dhe na kanë lënë afat deri në fund të muajit për t’u larguar. Në këtë dhomë jetoj me bashkëshortin dhe tre djem të rritur. Jemi të gjithë pa punë. Aplikuam se mos na jepte bashkia banesë sociale, pasi kemi statusin e të pastrehit, por asgjë.

Ju lutëm Besnik Kërtushës që të na jepte një hyrje kur bashkia i ndau në Shkozet banesat për të pastehët, por nuk na dha. S’ka faj ai se i ka ndërtuar vilat e tij në plazhin e Durrësit, ndërsa për ne nuk bëri asnjë gjë! Kur të vijnë të na nxjerrin, këtu do të vejë gjaku në gju, sepse ne nuk dalim. Prej 45 vjetësh jemi strehuar në këto banesa, këtu u martova e këtu do të vdes! Ku të shkojmë?

Ditë për ditë po vijnë pronarët e shtëpisë e po na trokasin në dyer. Me presione e me shantazhe na kërcënojnë dhe na kanë lanë afat deri në fund të muajit për t’u larguar. Në këtë dhomë jetoj me bashkëshortin dhe tre djem të rritur. Jemi të gjithë pa punë. Aplikuam se mos na jepte bashkia banesë sociale, pasi kemi statusin e të pastrehit, por asgjë

Thanë që do na nxjerrin me dhunë. Le ta provojnë! Shteti duhet të gjejë ndonjë rrugë të mesme se para se të na nxjerrë në rrugë të madhe duhet të na strehojë! Ne nuk kemi asnjë shtëpi, ndërsa ish pronarëve shteti ju ka privatizuar shtëpitë e tyre në 1993. Tani edhe këto jua fali”,- thotë Cimboku.

Fate të ngjashëm

Shpresa Verteniku një grua me trup atleteje, më tërheq prej mënge dhe më zbret në katin e parë. Ndërsa më tregon dhomën ku jeton nis të më tregojë për jetën e saj.

“Jam mësuese prej 36 vjetësh. Jam kryefamiljare, lindur e rritur në këtë banesë, që është 1.75 m e lartë, si një kotec, ndërsa im bir që është 18 vjeç është 185 cm i gjatë. Prej këtej më futen minjtë. Krevatin e mbaj të mbyllur ditën dhe e hap natën se s’ka vend. Nëna ime ka 65 vjet këtu, ndërsa unë sot jam 57 vjeçe. Jetoj në këtë banesë të ish pronarit, blerësit të godinës Asti Papa nga Tirana. Ai është blerësi i dytë i  banesës nga italianët, ndërsa në 2001, Asti Papa ja shiti Musa Qifqiut.

Ka katër vjet që banesa është kthyer e pabanueshme, por bashkia nuk mori asnjë masë, ndërsa qeveria na ka vënë shkelmin. Prej shumë vitesh jap mësim. Kam nxjerrë breza të tërë nxënësish, por problemi më i madh për mua ka qenë gjithmonë shtëpia. Nuk kam mundur dot asnjëherë të thërras shoqet, koleget e mia dhe nxënësit për vizitë në shtëpi.

Unë ju shkoj në shtëpi atyre dhe më mbushet shpirti me lot, kur unë nuk mund të pres njeri këtu. Tavani ka rënë, më është mërzitur fëmija. Shkova në bankë për kredi, po nuk ma japin. Ku të shkoj. Kam vetëm një rrogë mësueseje. Çfarë të bëjë shteti, se edhe ish pronarët kanë marrë fuqinë e duan të na nxjerrin me dhunë, si njëherë moti do bëhet luftë me ta.

Unë nuk dal, do ta mbyll derën e hekurt dhe do mbyllem këtu. Gjallë jo, nuk dal. Për këtë shtet kam dhënë të gjithë rininë time. Së bashku me motrën kemi qënë basketbolliste për vite me radhë. Motra ime iku në Itali nga regjimi. Xhulieta Verteniku u persekutua në atë kohë, por edhe tani të persekutuar mbetëm”,- thotë mësuese Shpresa me lot në sy.

Pensionistët që doja të takoja nuk ishin kthyer ende në shtëpi. Nëse dhe ata si shumë të tjerë do të kenë fatin e keq të braktisin shtëpitë ku kanë kaluar një jetë të tërë zgjidhja më e mirë do të ishte ndoshta strehimi në ndonjë azil. Asnjëra prej këtyre familjeve nuk e përballon dot qëndrimin në shtëpi me qira, sepse nuk kanë të ardhura të mjaftueshme. Frikën dhe ankthin e këtyre familjeve e përjetojnë edhe rreth 900 të tjera në Durrës.   

Kaloj portën jeshile, hap çadrën dhe në mendje më mbeten fytyrat e trishtuara të atyre grave që vajtojnë për fatin e tyre të keq. Hijerënda, të zymta, të errëta janë me dhjetëra godina ish pronarësh. Nga njëra anë pronarët e tyre të ligjshëm kërkojnë me të drejtë rikthimin e pronës, nga ana tjetër qiramarrësit shpresojnë të vazhdojnë të qëndrojnë ende në shtëpitë ku kanë lindur e janë rritur. Ndërsa i largohem shtëpisë makinat që kalojnë në rrugë hedhin stërkla uji pa pushim, të ftohta akull, si lotët e mësuese Shpresës.