Në kuadër të 100 vjetorit të pavarësisë Qendra Kulturore e Fëmijëve Durrës organizoi ditën e mërkurë një aktivitet të larmishëm me ese, poezi dhe ekspozitë pikture të nxënësve të shkollave 9 vjeçare publike dhe private të qytetit. “Ese dhe ekspozitë pikture” mbante emrin aktiviteti kulturor në të cilin u angazhuan më shumë se 60 fëmijë nga shkollat e qytetit, si dhe grupi artistik i kësaj qendre.

Tematika e krijimeve qoftë në prozë, poezi apo vizatime ishte “100 vjet pavarësi”. Për rreth 2 orë me rradhë fëmijët, prindërit dhe mësuesit e tyre ndoqën interpretimet e ndjera të nxënësve konkurues si dhe patën mundësi të ndiqnin ekspozitën me punime të gjitha të bazuara në simbolikën kombëtare të këtyre festave.

Drejtoresha e kësaj qendre, Gladiola Busulla u shpreh se aktiviteti përkonte me tre data të rëndësishme, siç janë 14 nëntori, dita e çlirimit të Durrësit, 65 vjetori i krijimit të QKF-së dhe përvjetori i pavarësisë. Ajo vlerësoi nivelin e lartë të përfaqësimit të të gjitha shkollave pjesëmarrëse në këtë aktivitet dhe punën e mirë që bëhet me këta nxënës nga stafet pedagogjike.

Në fund të aktivitetit u ndanë edhe çmimet përkatëse. Mirald Dinoshi, i shkollës “Vasil Ziu” mori çmimin e parë në poezi, Aljon Cerloj, i shkollës “Vinçens Prendushi”  rrëmbeu trofeun për esenë më të mirë, ndërsa piktura e nxënëses së shkollës “Nënë Tereza” Florida Zenelaj u nderua me çmim të parë.

Nga ana tjetër një përfaqësim mjaft të mirë bëri QKF Durrës në festivalin ndërkombëtar të fëmijëve “Bilbili i artë” që u mbajt para pak ditësh në Shkup të Maqedonisë. Nxënësja Alesia Reçi përfaqësoi vendin tonë në këtë festival dhe u nderua me çmimin “Excellence performance”. Busulla bën të ditur se përfaqësimi mjaft i mirë i QKF Durrës në këtë aktivitet mori të mundur ftesën e menjëhershme edhe për vitin e ardhshëm.

Sipas saj pjesëmarrja në këtë festival fëmijësh është mjaft e rëndësishme, pasi aktiviteti ka një rëndësi të madhe në Europë. Ai renditet ndër 5 festivalet më të mira në kontinentin e vjetër. Paraqitja mjaft e mirë e Reçit në këtë aktivitet i mundësoi vajzës së vogël ftesën për të përfaqësuar vendin tonë në një tjetër festival që do të mbahet vitin e ardhshëm në Serbi.