DURRËS- Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama gjatë forumit për çështjet sociale në Shqipëri, të zhvilluar sot në Durrës e ka vënë theksin tek varfëria në vend. Sipas tij plaga më e madhe sot për shqiptarët është papunësia. 

“Qeveria u fshehu shqiptarëve të vërtetën për papunësinë dhe kjo vërtetoi atë që ne themi, se mbi 1 milionë shqiptarë janë të papunë. 

Sipas Ramës gjendja e popullsisë rëndohet pasi, “Cdo shqiptar ka sot borxh mbi 3 mijë dollarë. Ky nuk është borxhi i shtetit, e merr qeveria, por e paguajnë të gjitha familjet shqiptare dhe individët. Sa më të larta të jenë interesat e borxhit aq më pak mundësi për të blerë ka një familje shqiptare”. 

Kryesocialisti nënvizoi se “Varfëria nuk është aleate e opozitës është një kal me të cilin qeveria kalëron lirisht përmes frerëve të korrupsionit dhe presioneve që janë shumë më të lehta aty ku ka varfëri”. 

Punësimi real dhe taksimi i ndershëm sic tha Rama është sfida kryesore e së nesërmes. Duke kërkuar një transformim të modelit ekonomik, Rama tha se, “Ndryshimi i modelit të taksimit është domosdoshmëri, me taksën e sheshtë nuk u rrit punësimi, nuk u rrit ekonomia, nuk u ul barra fiskale dhe nuk u nxitën investimet”. 

Taksa progresive është zgjidhja, shtoi Rama. “Ne e kemi të pamundur të bashkëjetojmë në një mjedis ku një furrë buke paguan më shumë taksa se hotel Sheraton, kur një biznes i vogël paguan më shumë se një fabrikë, ku mësuesi paguan më shumë se ministri i Arsimit. Për ne është e qartë se kush fiton më shumë, paguan më shumë. Nëse nuk heqim taksën e korrupsionit, cdo rritje e detyrimeve do ishte e papranueshme. Të ndryshojmë sistemin aktual fiskal, për të ndryshuar modelin e zhvillimit”, shtoi ai. 

“Projekti ynë ka nevojë për 8 vite që të përmbushet plotësisht”, tha ai.