Do të mbahet sot dhe nesër në Tiranë takimi i 18-të i Komisionit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri.

Në këtë takim do të marrin pjesë 10 deputetë të Parlamentit Evropian, të cilët do të ulen bashkë me Parlamentin Shqiptar.

Në krye të evropianëve është italiani, Marko Tarkuinio, ndërsa në delegacion janë edhe dy shqiptarë, Adnan Dibrani vjen nga Suedia, ndërsa Fredi Beleri rikthehet në Shqipëri, si eurodeputet grek.

Kështu, sot do të jetë dhe takimi “sy më sy” i Fredi Belerit dhe Edi Ramës. Pak ditë më parë i pyetur nga mediat greke në lidhje me këtë takim, Beleri zbuti tonet me kryeministrin Rama dhe tha se “ai bën punën e tij, dhe unë timin”.

Dy delegacionet, parlamentarët shqiptarë të udhëhequr nga Toni Gogu dhe ata të BE-së, të udhëhequr nga Tarkuinio do të ulen në tryezën e bisedimeve deri pasdite.

Demokratët do të marrin pjesë të përfaqësuar nga Gazment Bardhi, Agron Gjekmarkaj, Oerd Bylykbashi, Jorida Tabaku, Ina Zhupa, Zheni Gjergji, dhe Saimir Korreshi.

Temat që do të diskutohen midis dy delegacioneve janë:

Sundimi i ligjit, lufta kundër krimit dhe korrupsionit;
Liria e medias dhe zgjedhjet;
Zhvillimi Ekonomik dhe Turizmi;
Marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimi rajonal.