Sot bëhen tre vite që Elton Arbana ka marrë detyrën si kryetar i bashkisë së Shijakut.

Ndërsa pak ditë më parë Rama e falenderoi për punën e bërë në bashkinë, që e cilësoi më shembulloren në vend, sot Arbana ka ndarë në një intervistë eksperiencën e tij përgjatë 3 viteve.

Intervista e plotë:

Përshëndetje z.Arbana. Sot bëhen tre vite nga marrja e detyrës si kryetar i bashkisë së Shijakut. Në këtë periudhë kohore a keni mundur të realizoni qëllimet që keni si kryebashkiak dhe premtimet e dhëna për qytetarët e Shijakut?

Përshëndetje! Po patjetër, me punët konkrete të realizuara deri më sot kemi mbajtur premtimet dhe madje në shumë gjëra që lidhen kryesisht me rindërtimin kemi mundur të bëjmë dhe përtej pritshmërive të qytetarëve.

Cila mendoni se është gjëja për të cilën krenoheni më tepër, në aspektin tuaj profesional?

Ajo që më bën të ndjehem krenar është fakti se i kam shërbyer të gjithë qytetarëve njëlloj. Dera e bashkisë ka qenë dhe vazhdon të jetë e hapur për këdo që ka një problem që ne si institucion mundet tja zgjidhim.

Si është një ditë pune për ju?

Dita ime e punës alternohet me qëndrimin në zyrë dhe daljen në terren, sepse dëshiroj t’i rri vetë gjërave në kokë, sidomos te pjesa e rindërtimit. Unë dhe stafi kemi ndjekur vazhdimisht punën. Aktualisht si kantier ndërtimi ka mbetur lagja Lugina, ku së shpejti dorëzojmë çelësat e apartamenteve të reja falas, përreth 600 familje.

A përfshini dhe banorët e Shijakut në vendime të caktuara që merrni për qytetin?

Patjetër që po. Ne shpesh realizojmë dëgjesa publike me qyetarët, por bëj dhe takime të drejtpërdrejta me to. Së fundmi kishim një pyetsor të hapur për të gjithë për një javë lidhur me mendimin e banorëve se ku duhet të jenë prioritetet e bashkisë. Zëri i çdokujt ka rëndësi për mua dhe duhet të dëgjohet, kur bëhet fjalë për të kërkuar më të mirën për Shijakun.

Ju si kryebashkiak dëgjoni kërkesa të shumta nga qytetarët. Po ju çfarë do t’i kërkonit atyre?

Të gjithë duam që shtëpia jonë të jetë perfekte. Të njëjtën gjë duhet të dëshirojmë dhe për Shijakun, shtëpinë tonë të përbashkët. Ta mbajmë pastër qytetin. Ndësa për bizneset do të kërkoja të investojnë mesa kanë mundësi për komunitetin ku jetojnë. Të gjithë nga pak mund të bëjmë shumë duke pasur përgjegjësi sociale.

Shumë familje janë futur në shtëpitë e reja pas tërmetit. Në çfarë faze është qyteti i Shijakut me rindërtimin? A mund të japim një afat se kur përfundon gjithçka?

Do të doja të ndalesha te kjo pyetje sepse vërtet është bërë një punë madhore. Me mbështjetjen e pazëvendësueshme të Kryeministrit Rama dhe qeverisë shqiptare ne arritëm të kthenim shpresën për më shumë se 800 familje që morën çelësat e një shtëpie të re falas, rikonstruktuam mbi 1500 apartamente të dëmtuara me grantet e dhëna, ndërtuam 4 shkolla dhe 2 kopshte. Së shpejti po përfundojmë 30 pallatet, që do të jenë dëshmia e ringritjes së plotë pas tërmetit.
E imagjinoni për një moment se si është jeta kur mbetesh pa shtëpi? Më pas mendoni punën e vyer që kemi bërë me të gjitha familjet e pastreha pas tërmetit të 26 nëntorit, duke hedhur themelet e rilindjes dhe solidaritetit njerëzor.

A mendoni për një mandat të dytë si kryetar bashkie?

Kjo nuk është qëllim në vetvete më shumë sesa mbyllja me sukses e mandatit të cilin Partia Socialiste dhe Kryeministri Rama ma kanë besuar dhe qytetarët më kanë votuar. Do të jem aty ku duhem. Nëse Partia Socialiste dhe kryeministri Rama mendon se duhet të rikandidohem, patjetër që do ta vazhdoja punën për rilindjen e Shijakut si qytet europian.

Në mbledhjet e shpeshta me administratën e bashkisë cila është kërkesa kryesore ndaj tyre?

Etika e komunikimit është nga gjërat më të rëndësishme që kërkoj nga punonjësit e administratës. Kushdo duhet të përqëndrohet të japë maksimumin te puna e vet dhe të bashkëpunojnë me njëri tjetrin si një skuadër.

Cilat janë synimet tuaja për kohën e mbetur nga ky mandat si kryetar bashkie?

Zhvillimi i qytetit vjen nga punë të vogla të përditshme dhe një këndvështrim largpamës. Do vazhdojmë të kujdesemi për mirëmbajtjen. Të kemi një qytet sa më të pastër. Me përfundimin e rindërtimit të kemi sa më shumë zona të gjelbëruara. Të zgjidhim përfundimisht problemin e furnizimit me ujë të pijshëm, të zhvillojmë jetën kulturore e të nxisim të rinjtë për pjesëmarrje aktive në jetën sociale, etj.