Kryeministri Edi Rama theksoi se Shqipëria nuk ka asnjë plan B apo C, përveç rrugës së integrimit në BE, gjatë konferencës për media me Presidenten e Bankës Europiane të Investimeve Nadia Calviño.

Rama vuri në dukje se forcimi i bashkëpunimit me Bankën Europiane të Investimeve do t’i sjellë Shqipërisë më shumë dije dhe investime.

“Për ne është shumë e rëndësishme nevoja për të bërë gjithçka të jetë e mundur për të mbështetur gjithë ata njerëz që u besojnë sipërmarrjes së lire dhe ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, që janë partnerët tanë më të rëndësishëm në krijimin e vendeve të punës. Tashmë ndihemi më të fortë duke patur Bankën Europiane të Investimeve për të mbështetur programin e madh për dyfishimin e sipërmarrjeve, që është saktësisht diçka që ka të bëjë me ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Nuk është vlera e parave, por dija dhe mundësia për të mësuar si ato do të ecin në këtë drejtim. Shqipëria kurrë s’ka pasur një plan B dhe s’i ka hedhur sytë diku tjetër. Ne e dimë prej historisë që çdo plan B dhe C është pa liri individuale dhe pa barazi para ligjit. Kohët kanë ndryshuar, po shfaqen aktorë të tjerë ndryshe, por thelbi është aty”, tha Rama.