Kryeministri Edi Rama ishte këtë të hënë pasdite në Durrës në një event me rastin e hapjes së ciklit të takimeve me socialistët për 35-vjetorin e PS-së.

Rama u shpreh krenar për Partinë Socialiste, duke thënë se rrugëtimi i Shqipërisë është njësuar me rrugëtimin e saj. Sipas tij, nëse Shqipëria është sot një Shqipëri tjetër, kjo vjen si meritë dhe vepër e socialistëve dhe e progresit shqiptar.

Ai tha se PS është bërë zëdhënësja e nevojave të vendit dhe njëkohësisht forca që i ka adresuar ato. Sipas tij, sot është e paimagjinueshme të flitet për një vend në kërkim të një stabiliteti të arsyeshëm, ndërsa dikur kjo ishte një nevojë themelore.

Rama u shpreh se PS e mishëron dhe garanton stabilitetin, duke shtuar se ishte ajo që e ringriti Shqipërinë nga rrëzimet e mëdha dhe kur vendi kishte nevojë për kurajo për të ndërmarrë reformat e nevojshme.

Sipas tij, nëse sot Shqipëria është më pranë se kurrë Bashkimit Europian, kjo vjen vetëm për një arsye të madhe: forca, përkushtimi dhe puna e PS-së.

Ai shtoi se PS tashmë është kthyer jo vetëm në forcë fituese, por dominuese në Durrës, Krujë, Shijak dhe në të gjithë qarkun e Durrësit, ndërsa theksoi se në zgjedhjet e fundit kjo forcë politike ka arritur rezultatin më të mirë ndonjëherë.