Shumë media të huaja kanë shkruar mbi protestat e zhvilluara javën e fundit në Shqipëri, ndërsa nuk kanë qenë të pakta prononcimet e kryeministrit Edi Rama lidhur me projektin që planifikohet në Zvërnec dhe që ka shkaktuar shumë polemika.

Për “Al Jazeera“, kreu i qeverisë ripërsëriti se pavarësisht hipotezave që qarkullojnë, projekti me vlerë miliarda dollarë do të realizohet. Këtë projekt, e cilësoi si një mundësi të rëndësishme investimi për vendin dhe hodhi poshtë akuzat se qeveria po shet pronë publike.

“Asnjëherë nuk ka qenë në diskutim nëse ky projekt do të realizohet apo jo. Ky është një bekim për vendin. Një investim prej 4 miliardë eurosh në një vend me një prodhim të brendshëm bruto prej rreth 27 miliardë eurosh flet vetë.

Sa i përket projektit që ka shkaktuar gjithë këtë reagim dhe polemikë në mbarë botën, bëhet fjalë për pronë private. Nuk bëhet fjalë për tokë publike që qeveria shqiptare po e jep duke e shitur vendin. Është pronë private. Është një shprehje interesi e bazuar në një marrëveshje private mes palëve private, në të cilën qeveria shqiptare nuk ka asnjë rol”, deklaroi Rama.

Janë bërë plot 9 ditë radhazi që mijëra qytetarë kanë protestuar poshtë zyrës së tij, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ndërsa numri një i qeverisë është shprehur herë pas here se Partia Socialiste nuk e tradhton interesin kombëtar.

Teksa protestuesit kanë shpalosur pankartat pikante në shesh, nuk kanë munguar reagimet e kryeministrit në rrjetet e tij sociale. Me ironi, protestat i ka cilësuar “revolucioni i flamingove”.

Nga ana tjetër, qytetarët kanë lexuar pesë kërkesa të cilat i kanë të panegociueshme, që nga dorëheqja e Ramës dhe gjithë anëtarëve të qeverisë e deri te shfuqizimi i ligjit për zonat e mbrojtura.