Kreu i selisë blu, Sali Berisha, denoncoi edhe çështjen e portit të Durrësit dhe Porto Romanon, duke deklaruar se kryeministri Edi Rama po e shndërron atë në “Dubain personal të një mijë e një netëve”.

Kryedemokrati tha se qytetarëve shqiptarë do u kushtojë nga xhepat e tyre prej taksave edhe 1 mld euro më shumë ky investim, duke zhdukur portin më të madh dhe pasurinë publike, teksa do e kthejë atë në një tjetër port katër herë më të vogël dhe shumë herë më të shtrenjtë në ndërtim.

“E kam theksuar dhe e theksoj përsëri, çështje madhore për qytetarët shqiptarë është porti i Durrësit, pasuria më e madhe publike që kanë trashëguar shqiptarët në 100 vite e më parë. Kjo pasuri publike po shndërrohet në Dubain e një mijë e një netëve të Edi Ramës, që tejkalon një shifër 4 mld euro. Çdo qytetar shqiptar është i detyruar të ndëshkohet edhe me 1 mld euro të tjera me portin e ri të Porto Romanon që do jetë 4 herë më i vogël se i Durrësit dhe që do zëvendësojë atë”, tha Berisha.

Ai shpjegoi se motivet e opozitës për protesta janë të shumta, mes tyre edhe ajo e propagandës qeveritare.

“Motivet pra të kryengritjes tonë paqësore janë të shumta. Por ka edhe një motiv tjetër thelbësor në rrafshin moral, është periudhë në të cilën puthadorët e qeverisë dhe altopalantët e saj bëjnë gjithçka për të mbuluar aktet antiligjore e antikombëtare të Ramës, e janë hedhur në sulm të shfrenuar kundër opozitës, për fajin e vetëm të saj se qëndron e pamposhtur ndaj këtij regjimi kriminal nga i cili ushqehen ditë e natë. Bëjnë gjithçka të shpifin, trillojnë e manipulojnë të vërtetat, duke turpëruar studion, duke dëshmuar mafie më të rrezikshme se ajo e kokainës”, vijoi ai.

Berisha bëri thirrje për ngritje masive të shqiptarëve në këtë protestë për rrëzimin e këtij regjimi të drejtuar nga Rama.

Ai theksoi se sot është dita e qytetarëve shqiptarë dhe se opozita nuk do ndalet në protestat e saj të vazhdueshme.

“Ndaj edhe qytetarët shqiptarë duhet të ngrihen kundër kësaj mafie që shpif, kundra interesave tuaja dhe mbron interesat e padronit të vetë, Edi Ramës. Të ngrihemi kundër atyre që bëjnë gjithçka t’ju dekurajojnë. Sot qytetarët shqiptarë kanë fjalën e tyre, është dita e tyre, protesta jonë nuk ndalon deri në përmbysjen e regjimit të Edi Ramës”.