Pasi Kosova dhe Serbia ranë dakord për propozimin evropian duke theksuar, se duhen bisedime për zbatimin e tij, opozita në Prishtinë reagon me kritika ndaj kryeministrit Kurti.

Kryeministri Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç u pajtuan të hënën me propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve, por nuk pati nënshkrim dokumenti.

Arsyeja ishte, sepse palët kishin mospajtime për zbatimin e tij. Megjithatë, sipas shefit të diplomacisë evropiane, Josep Borrell, të dy udhëheqësit treguan sjellje të përgjegjshme dhe gatishmëri për të gjetur zgjidhje. “Jam i lumtur të njoftoj se presidenti Vuçiq dhe kryeministri Kurti janë pajtuar sot se nuk ka nevojë për diskutime të mëtejshme për propozimin e Bashkimit Evropian. Propozimi mban titullin “marrëveshja për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, tha Borrell.

Kurti në takimin me Borrell, 27.02.2023

Nevojiten negociata të tjera

Megjithëse palët kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të nisur zbatimin e marrëveshjes, Borrell e tha qartë, se “ka nevojë për negociata të mëtejshme për të përcaktuar modalitetet specifike të zbatimit të dispozitave të marrëveshjes”.  Kreu i diplomacisë evropiane e vuri theksin tek avantazhet e marrëveshjes. “Marrëveshja rregullon lëvizjen e lirë të njerëzve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe mund të sjellë mundësi të reja ekonomike nga rritja e ndihmës financiare, nëpërmjet korporatave biznesore dhe investimeve të reja në Kosovë dhe Serbi.” Ndërsa, për serbët e Kosovës, “nënkupton më shumë siguri, duke përfshirë Kishën Ortodokse serbe dhe zonat e trashëgimisë kulturore e fetare serbe”.

Kurti: Gjërat janë në rrugë të mbarë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha nga ana e tij se ai “beson që gjërat janë në rrugë të mbarë drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë për fqinjësi të mirë evropiane dhe tha se ai ishte i gatshëm që ta nënshkruaj marrëveshjen”.Unë nuk e kam nënshkruar, sepse pala tjetër nuk ishte e gatshme për ta nënshkruar. Është dëm pse nuk është nënshkruar sonte meqenëse u pajtuam, unë jam kryeministër dhe konfirmimi i pranimit të këtij teksti të propozuar natyrisht se do të duhej të rezultonte me nënshkrim, mirëpo, ishte pala serbe, e cila nuk e bëri këtë ndonëse u pajtuam”, deklaroi kryeministri Kurti.

Vuçiç këmbëngul për Asociacionin

Vuçiq në takimin me Borrell, 27.02.2023

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç nga ana e tij,  tha se bisedimet do të vazhdojnë deri në një takim tjetër me 18 mars, duke këmbëngulur në themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. “Nuk mendoj se zoti Kurti ishte gati ta pranonte këtë tani. Nëse do të jetë në të ardhmen, do të shohim. Shpresoj se është e mundur të arrijmë ndonjë lloj kompromisi, por kam frikë se do të ngecim në diçka që është nënshkruar shumë kohë më parë dhe duhet të zbatohej”, tha Presidenti Vuçiç.

Reagimet nga opozita në Kosovë

Menjëherë sapo kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se ai ishte i gatshëm qysh të hënën ta nënshkruaj marrëveshjen me Serbinë, pasuan reagimet e partive opozitare në Kosovë. Kryetari i partisë më të madhe opozitare PDK, Memli Krasniqi, tha se “kryeministri Kurti humbi njohjen dhe fitoi Asociacionin”. “Në Propozimin Evropian nuk flitet për njohjen nga pesë vendet mos-njohëse të BE, nuk flitet për hapjen e rrugës drejt anëtarësimit në NATO, as për marrjen e statusit kandidat për anëtarësim në BE. Për dy vjet me radhë, ne e kemi mbështetur Kryeministrin Kurti në raport me Serbinë. E kemi inkurajuar që të koordinohet me aleatët tanë ndërkombëtarë dhe i kemi ofruar edhe propozime konkrete në lidhje me marrëveshjen finale me njohjen e ndërsjellë në qendër. Duke e injoruar çdo ndihmë e këshillë që ka ardhur nga ne, kokë në vete dhe në kundërshtim me interesat afatgjate të Republikës së Kosovës, ai mundësoi heqjen e marrëveshjes finale me njohjen e ndërsjellë në qendër dhe i solli vendit një marrëveshje të përkohshme me asociacionin në qendër”, tha kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

Prishtina

Po kaq kritik ishte kryetari i partisë tjetër opozitare LDK, Lumir Abdixhiku, i cili tha se “kjo marrëveshje nuk është finale dhe nuk e përmban njohjen e ndërsjellë” dhe për më tepër sipas tij, “ajo mban ambiguitet interpretues mbi statusin politik të dy shteteve”. “Dokumenti i pranuar po ashtu parasheh implementimin e të gjitha marrëveshjeve paraprake – përfshirë dhe Asociacionin – si dhe statusin e veçantë për Kishën Ortodokse Serbe. Kryeministrit i ka mbetur vetëm ta dakordojë datën e themelimit te Asociacionit, meqë ai, me pranimin e zbatimit të marrëveshjeve paraprake, ka pranuar që ta themelojë atë”, tha Abdixhiku. Sipas tij, “LDK konsideron se menaxhimi tërësisht i gabuar i procesit të dialogut nga kryeministri i Kosovës përgjatë dy viteve të fundit, e ka zhvendosur procesin e dialogut nga një marrëveshje përfundimtare e ligjërisht të obligueshme në një marrëveshje bazë, pa njohje në të dhe me vazhdimësi dialoguese për vitet e ardhshme”.

Reagimi i Borrell pas ujdisë Kurti-Vuçiç

Tone të tjera përdori Ramush Haradinaj, ish-kryeministër, kryetar i partisë opozitare AAK, duke bërë fjalë për arritje të madhe kur foli për “pajtimin për ta pranuar propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi”. Sipas tij, “marrëveshja është pranim faktik i pavarësisë së Kosovës, e cila i rikthehet normalitetit politik e të sigurisë, perspektivës integruese euro-atlantike e njohjeve te reja”. “Po aq e rëndësishme mbetet edhe faza vijuese e bisedimeve për çështjet e tjera të hapura, për të cilat dua të besoj se do të gjenden zgjidhjet më të mira, me çka do të përmbyllej edhe kapitulli i njohjes ‘de jure’ midis Kosovës dhe Serbisë!”, deklaroi Ramush Haradinaj.

Disa njohës të rrethanave politike, pranimin e Propozimit Evropian nga Kosova dhe Serbia, ashtu siç deklaroi shefi i politikës së jashtme të BE-së, e shohin si një rrugë drejt shtendosjes së raporteve armiqësore Kosovë-Serbi. Lulzim Peci, drejtor i Institutit për hulumtimin e politikave zhvillimore, KIPRED, shkroi se,   “Pranimi i Planit Evropian të mbështetur nga SHBA-ja është lajm i mirë që duhet të përshëndetet”. ”

 “Kosova dhe Serbia po shkojnë drejtë një detanti, i cili mund të bëhet i qëndrueshëm vetëm me dhënien Kosovës nga BE-ja të statusit të vendit kandidat, dhe nga NATO-ja të vendit anëtarë të Partneritetit për Paqe. Ne të kundërtën, ky detant do të jetë fragjil dhe të prodhoj kriza të reja”, shkroi analisti Peci./DW