Ekspozita e çelur me 21 nëntor në Galerinë e Arteve “Nikolet Vasia”, me fondin e galerisë së qytetit të Durrësit më dha shtysë të shkruaj këtë artikull për të vënë në vëmendje një fakt që më trondit: -A e dimë ne çfarë pasurie ruajmë e trashëgojmë në fondin e Galerisë së qytetit? Me siguri ka nga ata që i njohin këto vlera dhe të tjerë jo. Vizitorët e shumtë që shpeshherë vizitojnë galerinë ecin përgjatë saj sikur shfletojnë një libër apo një revistë të cilës i shohin vetëm “figurat” (fotot) pa lexuar asnjë rresht…

Tematika e luftës, çlirimi i vendit, heronjtë, betejat dhe fitoret janë shfaqur në 26 tablo të përmasave të ndryshme dhe natyrshëm për nga vendosja në këtë 100 vjetor ekspozita starton me kompozimin e Sali Xhixhës, ku shfaqen 3 heronjtë, tre patriotët e mëdhenj shqiptarë: Bajram Curri, Isa Boletini dhe Luigj Gurakuqi. Skënder Kokobobo, Sali Xhixha e Sali Shijaku, Agim Faja, Spiro Golgota, Abaz Hado, Pavllo Mico, Nikolet Vasia etj. paraqiten me disa punë, të cilat përveç vlerave artistike ruajnë dhe vlera historike.

Së pari sepse janë dëshmi të krijimtarisë së këtyre artistëve që me kohë kanë ndryshuar stil ose jo, por gjithashtu ata kanë shkruar historinë e kombit shqiptar në art… Në ditët e sotme kjo nuk është më e mundur dhe në të ardhmën shumë pak kemi për t’i treguar brezave të rinj për një histori që flet me gjuhën e një tabloje artistike.

Institucionet dikur blinin vepra arti për t’i pasur në fondin e tyre apo për t’i ekspozuar në zyrat apo korridoret e tyre, ndërkohë sot ky është një treg që nis me shprehjen “Na ishte njëherë…”. Institucionet më kryesore të shtetit shqiptar në këto 20 vitet e fundit marrin piktura borxh nga Galeria Kombëtare e Arteve, për takimet e tyre të nivelit të lartë. Megjithatë, ajo që është më e rëndësishme është ruajtja e këtyre veprave të artit që kemi trashëguar dhe jetëgjatësia e tyre për brezat e tjerë, pasi mirëmbajtja dhe restaurimi i tyre është një hallkë kryesore në zinxhirin që po mban lidhur artin, historinë dhe qytetarin.

Guximi i autorëve duket se ngre krye për t’u mos pajtuar me kompozimin ku figura është qendrore. Madje nuk mund të thuhet nëse ka një figurë qendrore, pasi e gjithë tabloja është trajtuar si një moment aksioni, ku autorët kanë vjedhur shpirtin e një tabloje. Natyrisht detajet nuk janë anashkaluar me gjithë njollat e mëdha që mbushin telajon

Ekspozita dhe veprat shëtisin në këtë korridor arti duke u shfaqur plot madhështi para nesh pa mundur të veçojmë asnjë, sepse të gjitha brenda tyre mbartin një emocion të veçantë, një kërkim artistik i cili shpërthen jo vetëm në emocionet që mbartin tablotë, por edhe në teknikë e në ngjyrë. E gjithë ekspozita, përveç tematikës, ka të përbashkët një harmoni ngjyre që lidhet me dramacitetin e luftës, por edhe me stilin e shkollës ruse që gjithsesi kishte ndikim tek këta artistë dhe të tjerë të atij brezi, të cilët punuan në disa kolona të rrepta arti, teknike dhe ngjyre. Megjithatë ekziston një vepër e cila ka brenda vetes elementë ndryshe nga veprat e tjera…

Është vepra e dy autorëve Gavril Priftuli dhe Naxhi Bakalli, “7 prilli”. Menjëherë të bie në sy një gjendje e errët “ngjyre” me të cilën është trajtuar tabloja. Ky është një element shumë domethënës, pasi i jep një veshje gri ngjyrës, e cila shfaqet fuqishëm pikërisht përmes grisë. Megjithëse piktura nuk është gri… Disa sekonda më vonë pasi ta keni parë atë do të kuptoni se si vibron ngjyra e ngjeshur dhe pastoze në tablonë, e cila të mbërthen me një ajër frike. Disa marinarë, djem të rinj apo dhe fshatarë ecin përmes muzgut në bregun e detit duke lënë gjurmë mbi rërën e njomë. Në sfond tymi i anijeve në flakë mbulon qiellin e ndezur nga trishtimi.

Në skajet e tablosë duket silueta e Durrësit. Lëvizjet janë të shpejta, por të rënda nga pesha e armëve dhe gjyleve që tërheqin plot guxim. Nuk ka një rend rreshtor dhe figura që kthen kokën pas drejt pjesës tjetër të shokëve thyen ritmin duke i dhënë veprës një moment intensiv lëvizjesh. Është për t’u vënë në dukje se kjo figurë e disa të tjera që me zor shquhen në errësirë janë të gjelbërta. Një element impresionist, i cili nën ndikimin e pikturës së Paul Cezanne apo Paul Gauguin, tenton mbase të shtyhet dhe më tej në fovizëm…

Natyrisht, ndonëse në Shqipëri ky manifestim ndodhte një dekadë më vonë ishte ende i paragjykuar dhe i çensuruar. Megjithatë tematika e zgjedhur ishte “Çelës” që kjo vepër të mos kishte fat të trishtë, me gjithë guximin që dy artistët e mëdhenj kishin për t’i pikuruar këto portrete në këtë mënyrë. Sot mund të tingëllojë çuditshëm, por ky është një realitet nëpërmjet të cilit ka kaluar arti shqiptar.

“7 prilli” i Gavril Priftulit dhe Naxhi Bakallit nuk është thjesht një vepër e madhe vetëm për elementët e sipërpërmendur. Kompozimi është një tjetër element që konfiguron personazhet jo thjesht brenda kornizës. Në të djathtë të veprës figurat priten për të treguar një vazhdimësi të pjesës tjetër që i ndjek nga pas.

Ne nuk e shohim dot sa persona ndodhen në atë skenë, por natyrisht mund ta imagjinojmë nga forca dhe hovi i personazheve që ata janë vetëm fillimi i një karvani të gjatë trimash. Edhe në pjesën e sipërme të tablosë priten figura dhe shohim flamurin që valëvitet, por duke mos anashkaluar detajin e shqiponjës dykrenare. Guximi i autorëve duket se ngre krye për t’u mos pajtuar me kompozimin ku figura është qendrore. Madje nuk mund të thuhet nëse ka një figurë qendrore, pasi e gjithë tabloja është trajtuar si një moment aksioni, ku autorët kanë vjedhur shpirtin e një tabloje.

Natyrisht detajet nuk janë anashkaluar me gjithë njollat e mëdha që mbushin telajon. Ato janë si element i çmuar që është vendosur me shumë finesë nga artistët në këtë vepër, e cila dhe pse nga Gavril Priftuli nuk konsiderohej si vepra më e mirë e tij është një nga veprat më të mira të ekspozitës, pasi përveç sa më sipër është në gjendje ta përfshijë shikuesin në një emocion të veçantë përjetimi të ngjarjes që ndodh në tablo. Ndërkohë që në tablotë e tjera personazhet kanë një rol “tregues” dhe “statik”, në këtë vepër personazhet kanë jo vetëm lëvizje, por gjenden në një “proces” ku piktorët kanë shkuar tek ata, nuk kanë ardhur personazhet tek piktori.

E thënë në këtë mënyrë të thjeshtë, duke u përpjekur të bëj të kuptueshme diferencën nga veprat e tjera, do t’i lutesha të gjithë vizitorëve të galerisë jo thjesht ta “shohin” një vepër, por ta “vëzhgojnë”, sepse në këtë mënyrë do mbajnë mend e do mund të rrëfejnë diçka. Në të kundërt vizita në një ekspozitë do të ngjasonte me një koncert që dëgjohet me veshë të mbyllur.

 

Ekspozita “Mozaik Etnokulturor”

“Mozaik Etnokulturor” titullohet ekspozita e hapur në prag të 100 vjetorit të pavarësisë në qytetin e Durrësit. Për të sjellë një gamë sa më të gjerë veprash arti dhe jo vetëm që pasqyrojnë historinë, traditat dhe kulturën e popullit durrsak në 200 vitet e fundit ekzpozita ishte konceptuar në disa minipavione, ku krahas tablove më të mira të fondit të Galerisë së Artit Figurativ, zinin vend qëndismat dhe kostumet popullore tradicionale të Shqipërisë së mesme (të mundësuara nga koleksionisti Lulzim Perati), një pjesë e koleksionit të armëve të Muzeut të Dëshmorëve si dhe maketet e anijeve të flotës detare dhe ushtarake shqiptare të punuara nga Luan Shabani. Vendin kryesor në ekspozitë e zinin tablotë e piktorëve më të njohur durrsak, të cilat, të vendosura në rend kronologjik për nga tematika, përcillnin etapat më të rëndësishme të historisë së vendit tonë në këto 100 vitet e fundit, që nga pavarësia, lufta kundër pushtuesve italianë e atyre gjermanë, si dhe çlirimi i vendit. Drejtori i rrjetit të muzeve, Edmond Agolli, u shpreh se karakteristika e veçantë e kësaj ekspozite, që ndërthur në vetvete larmi punimesh artistike, e bën atë edhe më shumë atraktive për sytë e artdashësve durrsakë. Kohështrirja e punimeve të ekspozuara, që rrok thuajse dy shekuj, u krijon mundësi vizitorëve për të pasur një ide më të plotë mbi etapat nëpër të cilat ka kaluar historia dhe arti në qytetin bregdetar. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në fund të muajit nëntor dhe ka tërhequr vëmendjen e shumë qytetarëve durrsakë për vetë larminë tematike dhe artistike që paraqet.