Evropa Jugore dhe Perëndimore vijon të përballet me një valë intensive të të nxehtit, ndërsa temperaturat ekstreme po thyejnë rekorde sezonale dhe po vënë në alarm autoritetet në disa vende të kontinentit. Franca ndodhet në nivel alarmi portokalli, qytetet kryesore të Italisë janë në alarm të kuq, ndërsa Spanja dhe Portugalia po regjistrojnë temperatura që afrohen ose tejkalojnë kufijtë historikë. Të dhënat satelitore të programit evropian Kopernik tregojnë se vala e të nxehtit ka përfshirë një pjesë të madhe të kontinentit, me temperaturat më të larta të përqendruara në Evropën Perëndimore dhe Jugore.

Në Francë, temperaturat e larta kanë shkaktuar probleme edhe në infrastrukturë. Në një periferi të Parisit, shinat e tramvajit janë deformuar nga nxehtësia ekstreme, ndërsa në kryeqytetin francez termometri ka shënuar 34-35 gradë Celsius, të shoqëruara me lagështi të lartë dhe kushte mbytëse. Në disa rajone të vendit temperaturat kanë arritur deri në 38 gradë Celsius, ndërsa pjesë të Francës vijojnë të ndikohen nga fenomeni i ashtuquajtur “kupola termike”.

Banorët e Parisit kanë kërkuar mënyra për t’u freskuar në Kanalin Saint-Martin, pavarësisht rreziqeve, ndërsa janë regjistruar edhe incidente që kanë kërkuar ndërhyrjen e ekipeve të shpëtimit. Në disa zona, qytetarët kanë hapur hidrantët e zjarrit për t’u mbrojtur nga vapa, duke shkaktuar shqetësime për shpërdorimin e ujit. Në Bordo, turistët dhe banorët janë mbledhur pranë sheshit të famshëm të ujit “Miroir d’Eau”, në përpjekje për të gjetur pak freski mes temperaturave përvëluese. Efektet e vapës janë ndjerë edhe në aktivitetet sportive. Kushtet e vështira atmosferike në Paris kanë vënë në provë sportistët dhe spektatorët e turneut Roland Garros, ndërsa temperaturat e larta kanë shtuar shqetësimet për sigurinë dhe shëndetin e pjesëmarrësve. Ndërkohë, brigadat franceze të zjarrfikësve kanë nisur përgatitjet intensive kundër zjarreve, pasi autoritetet paralajmërojnë se vazhdimi i temperaturave ekstreme mund të favorizojë shpërthimin e vatrave të mëdha të zjarrit.

Situata paraqitet edhe më e rënduar në Portugali, ku temperaturat janë afruar me 40 gradë Celsius, pothuajse një muaj para fillimit zyrtar të stinës së verës. Autoritetet paralajmërojnë për rrezik të shtuar për jetën e qytetarëve, ndërsa meteorologët flasin për devijime të paprecedenta nga mesataret sezonale. Sipas meteorologes Maria João Frada, temperaturat aktuale janë 8 deri në 10 gradë Celsius më të larta se normalja për këtë periudhë të vitit, duke reflektuar intensitetin e pazakontë të fenomenit. Edhe Spanja po përballet me një valë të nxehti të jashtëzakonshme. Në shumë zona të veriut të vendit temperaturat kanë kaluar 37 gradë Celsius, ndërsa autoritetet raportojnë se dhjetëra persona kanë humbur jetën nga shkaqe të lidhura me vapën ekstreme.

Banorët e zonave të prekura flasin për kushte të padurueshme, me temperatura që e bëjnë të vështirë edhe pushimin gjatë natës. Në Itali, temperaturat e larta kanë boshatisur rrugët e qyteteve kryesore. Torino dhe qendra të tjera urbane po përjetojnë ditë të vështira, ndërsa autoritetet kanë shpallur alarm të kuq në disa zona nga veriu deri në qendër të vendit. Qytetarëve u është kërkuar të kufizojnë lëvizjet gjatë orëve më të nxehta të ditës dhe të marrin masa mbrojtëse për të shmangur pasojat e temperaturave ekstreme. Vala e të nxehtit që ka përfshirë Evropën po konsiderohet një tjetër sinjal i shtimit të fenomeneve ekstreme të motit. Autoritetet mbeten në gatishmëri, ndërsa rreziku për zjarre, dëmtime të infrastrukturës dhe pasoja në shëndetin publik vijon të mbetet i lartë.